Pesë persona janë arrestuar sot në Kosovë pasi të njëjtit dyshohet se po përgatisnin vepra terroriste.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
Gazeta Online “Reporteri.net”, mëson se në mesin e të arrestuarve është edhe Ardian Gjuraj nga qyteti i Pejës.
Gjuraj është emër i njohur për drejtësinë kosovare.
Ai ishte arrestuar më 12 dhjetor 2015 në Gaziantep të Turqisë duke shkuar për në Turqi, dhe ishte akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm.
Gjuraj ishte shpallur fajtor më 12 shkurt të vitit 2018, ku ishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim. Në dënim atij i ishte llogaritur edhe koha e qëndrimit në paraburgim që nga data 5 shtator 2016.
Por Gjykata e Apelit më 7 prill të vitit 2018 e kishte liruar nga akuza Ardian Gjurajn, i akuzuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Pasi apeli e liroi nga akuzat për terrorizën, Ardian Gjuraj e ndërroi mbiemrin në Qerkinaj.
Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.
Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.
Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.
Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.