Fjalë Kyçe

Ky është qëndrimi i LDK-së për takimin në Berlin

Ky është qëndrimi i LDK-së për takimin në Berlin

Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësoi punimet e djeshme të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

“LDK-ja vlerëson të gjitha nismat që kanë qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë. Në këtë frymë, LDK-ja çmon lart përkushtimin e Gjermanisë dhe të Francës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadrin e BE-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK, transmeton Gazeta Express.

Sipas partisë së Isa Mustafës, integrimi euro-atlantik i Kosovës, si dhe miqësia e speciale dhe e përhershme me SHBA-të janë procese të pashmangshme dhe ekzistenciale për vendin tonë.

LDK-ja thekson se orientimi properëndimor i Kosovës është thelbësor për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

LDK-ja shpreh shqetësimin e thellë për qëndrimin jounik të përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit. LDK-ja konsideron se qëndrimi jounik reflekton joseriozitet dhe është në dëm të interesit të vendit tonë.

LDK-ja vlerëson lart kërkesën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

LDK-ja thekson edhe një herë se sovraniteti i Republikës së Kosovës, kufijtë e saj dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm.