Fjalë Kyçe

Ky është rrëfimi i ish- komandantit të Koshares Hisen Berisha, tregon pse u nda me LDK-në dhe u bashkua me PDK-në

Ky është rrëfimi i ish- komandantit të Koshares Hisen Berisha, tregon pse u nda me LDK-në dhe u bashkua me PDK-në

Ish-Komandanti i brigadës 138 “Agim Ramadani”, Hisen Berisha ka rrëfyer për herë të parë se çka e shtyri t’i bashkohet partisë së Kadri Veselit- PDK-së.

Berisha, ka përmendur edhe disa nga temat e ndjeshme për Kosovën, të cilat sipas tij e kanë nxitur të angazhohet në politikë.

Gjatë kësaj interviste për “Gazeten Blic”, ish-komandanti i FARK-ut u deklarua edhe rreth vendimit për taksën doganore prej 100 për qind ndaj shtetit serb dhe atij boshnjak, për të cilin tha se “duhet të kthehet në një taksë normative, ngase Republika e Kosovës nuk është koncept i shtetit mbi pronën, por është shteti që realizon të hyrat nga tatimet dhe taksat për mallrat që vijnë nga jashtë vendit”.

Ai theksoi se lufta kundër mallrave serbe realizohet duke e luftuar informalitetin, korrupsionin, duke krijuar hapësira më të mëdha për tregti me vendet e zhvilluara.

Berisha, në këtë intervistë po ashtu ka treguar për herë të parë edhe si ndodhi ndarja me LDK-në, parti kjo për të cilën shprehu edhe një mori kritikash.

“Pa dashur ta bëj historikun e LDK-së, kjo parti pas vdekjes së Presidentit Rugova u shndërrua në surrogate duke u marr peng nga po ato struktura të cilat gjatë luftës kishin ndalur financimin e zyrës se Presidentit në ditët më të vështira të kombit Shqiptare në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Gazeta Blic: Pse Hisen Berisha në PDK? Ju jeni të njohur gjatë luftës si krah i FARK-ut, çka ndodhi pse aderuat në partinë që drejtohet nga Kadri Veseli, i cili ishte në krahun e “kundërt”- në UÇK?

Fëmijërinë e kisha të brumosur me dashuri për Shqipërinë dhe pikërisht atje u vendosa dhe formova personalitetin politik. Për shqiptarët e Kosovës, lufta nuk u vonua dhe pa asnjë pritje unë u rreshtova në Ushtrinë Çlirimtare, aty ku liria për Kosovën mbiu nga pushka dhe gjaku i heronjve të Kosovës. Zoti deshi dhe këtu u njoha me Kolonel Ahmet Krasniqin. Gjithashtu pata fatin që të njihem dhe të rrugëtoj ushtarakisht deri në rënien heroike edhe me dy strateget e UÇK-së Agim Ramadanin – Gjeneralin e taktikes ushtarake si dhe të vazhdojmë bashkëveprimin me Sali Çekun, trurin e organizimit dhe funksionimit të brigadave ushtarake në teren dhe shumë figura udhëheqësish ushtarak si Komandantin e famshëm Adem Jasharin, simbol i vendosmërisë për sakrificë etj. Deri në ditët e sotme, e mbajta me nderë e dinjitet armën dhe amanetin e këtyre burrave për çlirimin e plotë të Republikës së Kosovës dhe formimin e ushtrisë së saj.

Angazhimi në politikë dhe konkretisht në PDK, ndodhi pas konsultimesh dhe analizash me shokë të fëmijërisë, rinisë, bashkëluftëtarëve dhe intelektualëve me të cilët unë harxhoj ditët dhe jetën time si dhe personalitete jashtë Kosovës dhe tej Oqeanisë.

Zbrita nga piedestali i ushtrisë ne rrafshin politik, për të qenë njëri nga ju në shërbim të realizimit të shtetit të Kosovës dhe luftës ndaj temave te hapura që po e godasin në vazhdimësi shtetin tonë. Vijë me kulturën dhe urtësinë e gjykimit të Sali Çekut, dhe filozofinë e pajtimit dhe përafrimit të te gjithëve në shërbim të funksionalizimit të shtetit të së drejtës dhe mundësive të barabarta.

Gazeta Blic: Cilat janë temat e hapura e më të ndjeshme të Kosovës që ju shtynë të hyni në politikë?

Hisen Berisha: Kosova si shtet i dalë pas luftërash qindravjeçare kundër okupatorit serb, këtyre viteve të fundit ka pësuar goditje diplomatike të rëndë, të cilën klasa politike shqiptare nuk ka arritur ta amortizojë për shkaqe të divergjencave të kota, fanatizmit dhe inateve, stereotipeve partiake. Mosanëtarësimi i Kosovës në asnjë mekanizëm ndërkombëtarë, ç’njohjet, ndryshimi i opinionit të partnerit tonë strategjik, e shumë stagnimeve politike të tjera. Të gjithëve na kujtohet thënia e famshme e ambasadores së SHBA-së, kur VLAN gjashtë muaj pas zgjedhjeve e mbajti peng shtetin e Kosovës pa qeveri. Rezultatet e përafërta të partive shqiptare detyruan fituesin të krijonte koalicionin të cilin shpeshherë analiza e quajti jo normal.

Qeveritë e dala nga koalicione të tilla, të cilat po na përsëriten në vazhdimësi, sollën dhe ende po i sjellin Republikës së Kosovës trauma vështirë të rikuperueshme diplomatike. Përçarjet në koalicionet e pa natyrshme, i futën si thikë në shtatin e Kosovës gjashtë pikat e Ban ki Mun-it.

Historia e mëvonshme e koalicioneve zakonisht ka imituar këtë skemë, ku qeveritë zgjasin pak dhe krizat qeveritare thellohen shumë e më shumë. Në situatën e tillë e kam vërejtur si partinë me më së shumti gjasa për t’i fituar këto zgjedhje të jashtëzakonshme PDK-në, prandaj vendosem që me shumë bashkëluftëtarë, miq, shokë të afrohemi tek PDK, me qëllimin që të thellojmë fitoren e saj dhe shndërrimin e kësaj force në partinë që fiton bindshëm dhe njëherë e mirë ta nxjerrim Kosovën nga krizat dhe goditjet që po e dërgojnë shtetin buzë falimentimit.

Në analizën tonë jemi të bindur se vetëm fitorja e PDK-se me mbi 50% të zgjedhjeve e sjell stabilitetin ekonomik, financiarë dhe politik të Republikës së Kosovës. Po punojmë fort duke e diskutuar planin tonë me kolegë ushtarak, profesoriatin e universiteteve të Republikës së Kosovës për ta startuar qeverisjen, e cila nën drejtimin e PDK-se do të rindezë shkëndijat e shpresës për qytetarët e saj për të jetuar dhe punuar në vendin e tyre si dhe për ta ringjallur besimin e qytetarit tek drejtësia, mirëqenia, arsimimi, tretmani ligjor dhe shëndetësor në kushte të barazisë dhe dinjitetit human të standardeve evropiane.

Gazeta Blic: Taksa 100%, ka qenë edhe temë e koalicionit, cili do të jetë qëndrimi juaj në këtë temë?

Hisen Berisha: Kodi im gjenetik dhe tradita familjare, formimi i intelektual më shtynë të funksionoj mbi koncepte politike të së djathtës, prandaj kam qëndrimin se lufta me Serbinë duhet të zhvillohet në të gjitha fushat, përjashtuar konfrontimet e hapura ushtarake, ngase shteti i Kosovës përveç tjerash është i krijuar për të sjellë stabilitet politik në Ballkan.

Lufta kundër mallrave serbe në Kosovë në asnjë rrethanë nuk duhet të shndërrohet në instrument politik. Taksa nga 100% duhet të kthehet në një taksë normative, ngase Republika e Kosovës nuk është koncept i shtetit mbi pronën, por është shteti që realizon të hyrat nga tatimet dhe taksat për mallrat që vijnë nga jashtë vendit. Lufta kundër mallrave serbe realizohet duke e luftuar informalitetin, korrupsionin, duke krijuar hapësira më të mëdha për tregti me vendet e zhvilluara si dhe ajo që është ndoshta kryesorja, duke e rritur fuqinë blerëse të konsumatorit kosovar. Pra, duke ngritur pagat në Kosovë për të gjitha kategoritë e punëtoreve, në të gjitha sektorët. Të gjitha këto qeveria e ardhshme e ka për detyrë ta realizojë duke ndalur me këto masa edhe emigrimin e intelektit dhe rinisë kosovare.

Gazeta Blic: Shkëmbimi i territoreve, po ashtu përbën temë rreth të cilës ju keni pas qëndrim shumë të ashpër. Cili është qëndrimi juaj në të ardhmen?

Hisen Berisha: Në fjalorin e drejtuesve të politikës shqiptare kjo teori u tha nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Qysh nga ajo kohë e deri me sot, kjo temë ka kaluar disa muaj dhe tashmë e ka një epilog i cili erdhi si përgjigje e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Populli shqiptar i Kosovës dhe opinioni tashmë e dinë këtë përgjigje, ndërsa si Hisen Berishë i shpreh krejt admirimin tim trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetues për të dyja rastet, pra edhe të grupit negociator dhe platformës së votuar në kuvendin e kaluar, posaçërisht në rastin e rrëzimit të marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Mbi vendimet e gjykatave të vendit tim asnjëherë nuk do të dalë, nuk do ta diskutoj dhe as nuk do ta komentoj. Mbetem institucionalist i cili plotësisht i nënshtrohet ligjeve të Republikës se Kosovës!

Gazeta Blic: Si ndodhi Ndarja e Hisen Berishës me LDK-në, a keni pasur ofertë nga LDK?

Hisen Berisha: Ka shume arsye, por nuk kam asnjë pikë hatër mbetje personale. Së pari, dua ta sqaroj se unë derisa isha në Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk i kam takuar asnjë partie politike. Unë, udhëhiqem nga një parim amerikan, “kur barazimi të del dhjetë, para barazimit duhet me i ra X”.

Formimi im intelektual prej djathtisti, më ka ofruar më shumë me LDK-në. Gjatë kësaj periudhe kam debatuar me akademinë ushtarake serbe për mbrojtjen e betejës së Koshares dhe ia kemi dalë ta zhvendosim tregimin e tyre edhe ta përafrojmë shumë realitetit ushtarak të ndodhur edhe kjo me ka afruar edhe me afër me pretendimet profituese të LDK-së.
Në veprimet e mija të deritanishme jam munduar në përpikëri të jetësoj parimet politike të Heroit Sali Çeku. Çdo veprim imi ka shkuar konform kushtetutës së vendit tim dhe në përpjekje të unifikimit të faktorëve politik në favor të shtetit dhe jo në favor të drejtuesve partiak. I tillë do të mbetem edhe tutje!

Pa dashur ta bëj historikun e LDK-së, kjo parti pas vdekjes së Presidentit Rugova u shndërrua në surrogate duke u marr peng nga po ato struktura, të cilat gjatë luftës kishin ndalur financimin e zyrës se Presidentit në ditët më të vështira të kombit shqiptar në Kosovë.

Presidenti Historik dhe kryetari i LDK-së Dr. Rugova pas luftës i fitoj dy palë zgjedhje komunale, por ama Isa Mustafën asnjëherë nuk e zgjodhi kryetar të Prishtinës. Mbetur pa punë zyrtare, me kusurin e fondit te 3%-shit krijoi “Riinvestin”, nga i cili shkolloj me bursa gjeneratën tjetër të neotitistëve më të cilët tashmë po e krijo vetëm “LIDHJEN”, duke ia hequr demokracinë lëvizjes historike të shqiptarëve të Kosovës.

Të gjitha këto veprime larguan nga trungu i saj pothuajse të gjithë, madje edhe me urdhra me shkrim nga lideri saj, duke e shkatërruar bërthamën e intelektit dhe patriotizmash kosovare brenda LDK-së.

Në analizën tonë, LDK është marrë peng nga struktura të cilat peng e mbajtën fatin e shqiptarëve të Kosovës për gjate viteve të zeza të titizmit.

Jam luftëtarë i lirisë, e dua lirinë e fjalës , lirinë e mendimit, lirinë votës dhe nuk i nënshtrohem nepotizmit të krijuar dhe sponsorizuar nga Riinvesti, i Isa Mustafës.