Pas një fushate për sfidimin e tabuve rreth emrave të grave, Qeveria e Afganistanit ka marrë vendim që në letërnjoftimet e fëmijëve të vendoset edhe emri i nënës e jo vetëm i babait, siç është vepruar deri më tani.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e nënshkroi plotësimin e ligjit që u kërkua nga aktivistët për të drejtat e grave, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Deri më tani, sipas ligjit afgan, vetëm emri i babait vendosej në letërnjoftimin e fëmijës. Përdorimi i emrit të një gruaje në publik në Afganistan është tradicionalisht veprim i papëlqyeshëm dhe mund të vlerësohet si fyerje.
Megjithatë, një fushatë e nisur tre vjet më parë me parullën “Ku është emri im” mori përkrahje të profilit të lartë nga figurat e njohura dhe deputetët afganë.
Përmes një fushate të përhapur në rrjetet sociale, aktivistët e prezantonin veten duke përdorur emrin e vet dhe emrin e nënës.
Laleh Osmany, themeluese e kësaj fushate, tha se është shumë e kënaqur me rezultatin e arritur. “Nuk ka dyshim se kjo fitore është rezultat i fushatës së vazhdueshme dhe pajtueshmërisë në mesin e aktivistëve dhe qytetarëve”, tha ajo.
Komisioni për Çështje Ligjore i Qeverisë Afgane tha se vendimi për përfshirjen e emrit të nënës në letërnjoftimin e fëmijëve është një hap i madh drejt barazisë gjinore dhe realizimit të të drejtave të grave.