Kampionati spanjoll do të vijojë sot me 4 takimet e radhës, të vlefshme për javën e 18, ku në fushë do të zbresin skuadrat kryesuese, Barcelona, Reali i Madridit, Atletico e Madridit dhe Sevilla, ndërsa gjithçka do të startojë me sfidën Eibar-Villareal, në orën 12:00.
Më pas në orën 16:15, do të vijë sfida mes Sevillas dhe Atleticos së Madridit, ose dy skuadrave që mbajnë respektivisht vendin e tretë dhe të dytë në kampionat.
Andaluzianët po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe kanë përfituar maksimalisht edhe nga ndalesat e shumta të skuadrave pretendente, për të qenë aty mes kryesuesve, ndërsa Atletico do të kërkojë t’i japë vazhdimësi serisë së 3 fitoreve radhazi.
Në orën 18:30, do të jetë radha e Realit të Madridit, që të zbresë në “Santiago Bernabeu” përballë baskëve të Real Sociedadit, me synimin e vetëm marrjen e 3 pikëve, për të mos humbur kontaktet me kreun.
Skuadra e Solarit e nisi vitin me një barazim zhgënjyes në transfertën përballë Villarealit, ndaj sot nuk u lejohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores, ndonëse Sociedadi vjen pas 4 humbjesh radhazi dhe do të kërkojë reagimin.
Barcelona do të bëjë debutimin sezonal në transfertën që do të luajë në mbrëmjen e sotme përballë skuadrës së Getafes, transmeton SS.
Katalanët vijnë pas 4 fitoresh radhazi në kampionat dhe janë maksimalisht të motivuar, për të filluar shkëputjen nga ndjekësit dhe për të mos lënë fatin e kampionatit për në periudhën finale të vitit, ku ngarkesa do të jetë më e madhe.