Fjalë Kyçe

Lajçak e Palmer në vizitë në Kosovë, të martën u adresohen mediave

Lajçak e Palmer në vizitë në Kosovë, të martën u adresohen mediave

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Mattheë Palmer, do ta vizitojnë Kosovën, ndërsa do të adresohen para mediave të martën më 1 qershor, ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, Lajçak do të jetë në Kosovë për vizitë dyditore më 31 maj dhe 1 qershor.

Gjatë kësaj vizite Lajçak e Palmer pritet të kenë takime me presidenten e Kosovë, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Po ashtu do të takohen edhe me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë. Sipas Zyrës së BE-së, Lajçak do t’u drejtohet shefave të misioneve të BE-së në Kosovë.

Ndërkohë ata së bashku do t’u drejtohen mediave të martën, më 1 qershor, në orën 10:45, nga zyra e BE-së.

Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel, ku ndër tjera kishin biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi./KP