Fjalë Kyçe

Lajçak publikon foto me Palmerin: Mëngjes i dobishëm pune gjatë qëndrimit në Kosovë

Lajçak publikon foto me Palmerin: Mëngjes i dobishëm pune gjatë qëndrimit në Kosovë

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, Matthew Palmer, po qëndrojnë në Kosovë, ndërsa sot gjatë ditës do të mbajnë konferencë për media.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak e ka publikuar një fotografi së bashku me Palmerin duke treguar se sot është dita e dytë e qëndrimit të tyre në Kosovë.

“Filluam ditën e dytë me një mëngjes të dobishëm pune me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, së bashku me mikun tim të mirë, Matt Palmer, i cili po më bashkohet për këtë vizitë. Si gjithmonë, një pasqyrë shumë e mirë për aktivitetet e tyre në terren”, ka shkruar ai.

Ndryshe Lajçak dhe Palmer e kanë nisur dje vizitën dyditore në Kosovë ku edhe janë takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, por nuk janë deklaruar pas asnjë takimi.

Ata pritet që në konferencën e përbashkët për media të deklarohen për vizitën e tyre në Kosovë, si dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.