Fjalë Kyçe

Lajçak takohet me Vuçiqin

Lajçak takohet me Vuçiqin

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka diskutuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbi procesin e dialogut.

“Jam mirënjohës për mundësinë e diskutimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në mes të dy vizitave të tij, në selinë e NATO-s dhe në Republikën Çeke,” shkroi Lajçak në Twitter, duke postuar edhe një foto me Vuçiqin.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, disa herë e ka potencuar se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka mes prioriteteve.

Në prill, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, i shkroi një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në të cilën i kërkoi vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyit, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve.