Kompania e njohur ajrore nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emirates”, është bërë kompania e parë e fluturimeve në botë që do t’ua mbulojë shpenzimet mjekësore dhe të karantinës udhëtarëve, nëse ata infektohen me koronavirus gjatë udhëtimit.
Kjo kompani njoftoi se do t’i mbulojë shpenzimet mjekësore deri në 150 mijë euro dhe koston e karantinës deri në 100 euro për 14 ditë, nëse udhëtarët diagnostikohen me koronavirus që e kanë marrë gjatë udhëtimit dhe gjatë kohës që nuk kanë qenë në vendlindje, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Kompensimi do të vlejë për të gjithë klientët, pa kosto shtesë, nga tash deri më 31 tetor të këtij viti. Kompensimi vlen 31 ditë nga momenti i fluturimit të parë, në mënyrë që pasagjerët të mund ta shfrytëzojnë beneficionin, edhe nëse udhëtojnë më tutje, përtej destinacionit që e kanë pasur me kompaninë.
Sheiku Ahmed bin Saeed Al Maktoum, shef dhe drejtor ekzekutiv i grupit “Emirates”, përmes një deklarate tha: “Emirates ka punuar shumë për të vendosur masa në secilin hap të udhëtimit të klientëve për ta luftuar rrezikun e infektimit dhe ne gjithashtu i kemi riorganizuar politikat e rezervimit për të ofruar fleksibilitet.”
“Tash po shkojmë në një nivel tjetër duke u bërë të parët në këtë industri që u ofrojmë klientëve tanë mbulesë falas të shpenzimeve mjekësore për Covid-19 dhe kosto të karantinës, nëse ato shkaktohen gjatë udhëtimit të tyre”, shtoi ai.