Fjalë Kyçe

LDK do t’i vlerësojë të gjitha opsionet, por preferon të shkojë e vetme në zgjedhje

LDK do t’i vlerësojë të gjitha opsionet, por preferon të shkojë e vetme në zgjedhje

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, është shprehur e gatshme për zgjedhjet e parakohshme. Kjo parti preferon të shmang koalicionet parazgjedhore dhe garës t’i hyjë e vetme.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se ka kohë që janë duke i kërkuar zgjedhjet e parakohshme.

E premta e zbritjeve në Interex – blej produkte me çmimin më të ulët
“Si partia më e madhe në vend, me votat popullore si grupi më i madh parlamentar, ka kohë që kemi kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të mos-funksionimit të të gjitha aspekteve të kësaj qeverie, në veçanti në bllokadën e fundit të Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë i vendit”, është shprehur Rugova për Telegrafin.

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet për zgjedhjet që nga viti i kaluar.

“LDK është shumë e përgatitur për zgjedhje. Ne në vitin e kaluar kemi filluar me këshillat e ekspertëve – pothuajse e kemi të përfunduar ofertën tonë elektorale, programin tonë qeverisës”, tha ai.

Deputeti tha se tashmë si parti i kanë përmbyllur zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët e LDK-së, dhe se për pak ditë do të mbajnë edhe kuvendin zgjedhor të LDK-së, ku do të zgjidhet lidershipi i ri.

Duke folur për procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Rugova tha se pret që këto ditë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të caktojë datën e zgjedhjeve.

“Sovrani duhet të votojë një qeveri legjitime, profesionale dhe ta nxjerr Kosovën nga burgu i izolimit që ka përjetuar për këto dy vite”.

Gjithashtu, Rugova gjatë bisedës për Telegrafin, dha mendimin e tij edhe për koalicionet e mundshme parazgjedhore.

“Unë si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësoj që duhet të kemi vija të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës”, tha në fund Rugova.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pohoi për Telegrafin se LDK është e gatshme për zgjedhje të parakohshme tash e një vit.

Kurse sa i përket koalicioneve parazgjedhore, ai tha se do t’i vlerësojnë të gjitha opsionet por që preferojnë të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme, do të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka dhënë dorëheqje pas ftesës që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ndryshe, Haradinaj pritet të udhëtojë sot drejt Hagës.