Fjalë Kyçe

LDK: Është përrallë me besu që Serbia na njeh pa dhënë asgjë

LDK: Është përrallë me besu që Serbia na njeh pa dhënë asgjë

Partia e Isa Mustafës nuk po e përkrahë idenë e Presidentit Thaçi për ndryshimin e Kushtetutës, por po kërkon që shqiptarët në Luginën e Preshevës të kenë të drejta ashtu sikurse kanë serbët në Kosovë. Ky qëndrim i LDK-së, vjen pas deklarimeve të Thaçit se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se Thaçi po e vazhdon lojën e tij për korrigjimin e kufijve, por se për këtë nuk e ka përkrahjen e LDK’së.

Për deklarimet e sotme të Thaçit për ndryshim të Kushtetutës, Beqiri ka thënë se Thaçi nuk ka kompetenca për këtë, ani pse po flet sikur kjo punë të ishte në dorë të tij.

“Konsideroj se z.Thaçi vazhdon me lojën e tij, rreth dialogut, “korrigjimit të kufijve”, tani edhe me ndryshim të Kushtetutës. Ai po fol sikur të jetë mbreti i Kosovës, po flet sikur kjo punë është në dorën e tij(ndryshimi i Kushtetutës),kjo as nuk është në kompetencë dhe as nuk mund ta bëjë këtë. Ai po vazhdon me lojëra të rrezikshme, ai nuk ka të drejtë të kontestojë shtetësinë tonë, kufijtë tonë, Kushtetutën e saj”, ka thënë Beqiri.

Por, ka deklaruar se janë për respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ashtu siç respektohen të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë. Derisa ka shtuar se qëndrimi i LDK-së është i qartë.

“LDK ka thënë qartë qëndrimin e saj: Kosova ka shpallur Pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, Kosova  ka kufijtë e saj ,ka Kushtetutën e saj. Të gjitha këto i kemi bërë në koordinim të plotë me miqtë tonë, në krye me SHBA-të”, tha Beqiri për Express.

Sekretari i LDK-së ka thënë se me sjellje si të Thaçit po rrezikohet shteti i Kosovës, derisa ka thënë se si zgjidhje për tejkalim të kësaj i shohin zgjedhjet.

“Është “përrallë me tupan” me i besua dikush Thaçit, se ne marrim Luginën, na njeh Serbia, e ne (Kosova),nuk japim  asgjë. Ai po vazhdon me lojëra të rrezikshme, ai nuk ka të drejtë të kontestojë shtetësinë tonë, kufijtë tonë, Kushtetutën e saj. Me këto sjellje të liderëve institucional ,veçmas të z.Thaqi, po rrezikojmë shtetin tonë. Mendojmë që zgjedhjet e reja janë zgjidhje për tejkalim të kësaj situate”, ka deklaruar Beqiri.

 

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.

I pari i vendit ka deklaruar se ky është vizioni i tij dhe do të punojë për të ndryshuar Kushtetutën për ta bërë pjesë të Kosovës edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën “Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, ka thënë Thaçi nga Prizreni, shkruan Gazeta Express.

E idesë së Presidentit Hashim Thaçi për ndryshim të Kushtetutës në mënyrë që Lugina t’i bashkohet Kosovës,  duket se do t’i japë përkrahje edhe partia e Kryeministrit Haradinaj.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se ata janë pro bashkimit të Luginës më shtetin e Kosovës, por vetëm nëse kjo bëhet në mënyrë vullnetare dhe pa u prekur territori i vendit.

“Kushtetuta e specifikon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës të pacenueshëm,  patjetërsueshëm dhe pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. Vetëm këtë duhet respektuar.

Nëse në mënyrë vullnetare Lugina e Preshevës do të mund të bashkohet me shtetin tonë, kjo do të ishte e mirëseardhur, por pa prekur kurrsesi as edhe një metër të territorit tonë në këmbim”, ka thënë Lekaj.