Fjalë Kyçe

LDK-ja dhe AAK-ja ende nuk e kanë diskutuar çështjen e presidentit

LDK-ja dhe AAK-ja ende nuk e kanë diskutuar çështjen e presidentit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj mund të jetë kandidat për president të Kosovës.

Kështu është thënë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se ekzistojnë thirrje brenda këtij organi të partisë që Haradinaj të jetë kandidat për president.

“Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmin të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne gjithë njëzëri kemi shpresuar që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prap se prap për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri”, ka thënë Gjini.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

AAK-ja është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Haziri: Nuk kemi biseduar me partnerët e koalicionit për çështjen e presidentit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se deri më tani partnerët e koalicionit qeverisës nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

“Derisa e kemi këtë gjendje, nuk kemi zhvillim tjetër politik, nuk e kemi parë të arsyeshme me fol për çështjen e presidentit. Fundja në afatin kushtetues presidenti e ka mandatin e vet. Nëse pretendimet e prokurorit të specializuar konfirmohen nga ana e Gjykatësit i rastit atëherë LDK-ja bisedon me partnerët dhe partitë tjera politike”, ka thënë Haziri.

PDK: Deklaratat për çështjen e presidentit, kalkulime për të shmangur zgjedhjet
Deputeti i opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se cfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik.

“Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre”.

“Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, tha Krasniqi.​

Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kur e kanë arritur marrëveshjen për koalicion, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Albert Krasniqi: Haradinajt i duhet përkrahja e partnerëve të koalicionit
Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Haradinaj nuk e ka përkrahjen e partnerëve të koalicionit “nuk do të arrijë të jetë as kandidat dhe lere më të zgjidhet për president”.

“Ky nominim i njëanshëm i AAK-së nuk do t’i kontribuojë relaksimit të raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndonëse posti i presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së koalicionit”, tha Krasniqi.

Cilat janë telashet e koalicionit LDK-AAK?

Ardian Gjini nga AAK-ja theksoi se duhet gjetur mënyra për të mos shkuar në zgjedhje në këtë kohë të pandemisë. Ai u shpreh edhe kundër prishjes së koalicionit qeverisës për shkak të kritikave të fundit që kjo parti ka drejtuar ndaj kryeministrit, Avdullah Hoti.

Kryetari i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte kritikuar shefin e qeverisë Avdullah Hoti, për mospërfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimin, nga radhët e AAK-së, në dialogun me Serbinë. AAK-ja ka kritikuar edhe ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duke thënë se ai po rrëshqet në një dialog teknik.

“Kritikat e AAK-së për modelin e dialogut nuk nënkuptojnë mosmbështetje politike për qeverinë dhe nuk nënkuptonmë prishje të koalicionit”, tha Gjini.

Më 11 gusht, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, mund të ndryshojë situatën politike në Kosovë.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosoves është Vjosa Osmani.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj./rel/