Fjalë Kyçe

LDK-ja kundër marrëveshjes së Qeverisë për asistencën sociale, PDK e AAK e mbështesin

LDK-ja kundër marrëveshjes së Qeverisë për asistencën sociale, PDK e AAK e mbështesin

Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar seancën plenare, ku po shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë me këtë rast se vlera totale e marrëveshjes kap shumën prej 47 milionë eurove dhe se kjo do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale.

“Me qellim të përmirësimit dhe targetimit të politikave për skemat sociale të familjeve në nevojë, ne si MF kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare. Vlera totale pritet ta kap shumën prej 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtpërdrejtë te familjet në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që në të ardhmen të ofrohet mundësi që të zgjerohet baza e asistencës sociale në përputhje me nevojat e qytetarëve”, ka thënë Murati gjatë prezantimit të marrëveshjes para deputetëve.

Mërgim Lushtaku nga PDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja kanë thënë se grupet e tyre parlamentare do ta mbështesin atë, ndërkaq Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se kjo parti nuk do ta mbështesë marrëveshjen.

“Kjo marrëveshje lidhet me rishikimin e skemave sociale dhe një financim që varet nga Banka Botërore për 47 milionë. Se duhet të reformohet skema sociale pajtohemi të gjithë. Një përpjekje është bërë më 2017 nga ministri i atëhershëm Abrashi. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që Qeveria të marrë kredi për të kryer pagesat e skemave sociale. Çfarë shteti jemi ne që nuk arrijmë me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale. Ju keni qenë më i zëshmi për rritjen e të hyrave dhe një deputet na thoshte çka nuk ka ndodhur më 20 vitet e fundit ka ndodhur më 2021 me rritjen e jashtëzakonshme të të hyrave. Ne si LDK nuk e mbështesim këtë marrëveshje”, ka thënë Hoti.