Fjalë Kyçe

LDK: Kurti u dorëzua nga qeverisja, të mos kthehet më

LDK: Kurti u dorëzua nga qeverisja, të mos kthehet më

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, që është i gatshëm për zgjedhje, janë dorëzim nga qeverisja pa ndonjë rezultat.

Duke folur për EO-në, Rukiqi ka thënë se dorëzimin “Kurti po e kthen në kartë të viktimizimit me shpresë që të kthehet edhe në ndonjë votë më tepër”.

“Dorëzimi, dorëzim nga detyra, pra ka marrë një mandat shumë të fuqishëm të paprecedent dhe prapë po dorëzohet. Po dorëzohet nga paaftësia, po dorëzohet nga mospërballimi i presionit, po dorëzohet nga qeverisja pa ndonjë rezultat. Normalisht ky dorëzim tentohet të shndërrohet në kartë të viktimizimit i cili më shpresën e tyre mund të kthehet edhe në ndonjë votë më shumë. Realisht ne e kemi thënë, e themi zëshëm që ata që dorëzohen duhet të japin dorëheqje jo të shikojnë që ikjen ta bëjnë më të lehtë duke shfrytëzuar opozitën dhe viktimizimin. Kryeministri që dorëzohet, kryeministri që nuk arrin me qeverisë me 50 plus për qind duhet të japë dorëheqje dhe të mos kthehet më, për shkak se realisht ka bërë dëme dhe nuk ka treguar as një rezultat”, ka thënë Rukiqi.

Zyrtari i LDK-së ka deklaruar se Kurti s’duhet të kthehet më si kryeministër pasi “do të ishte dëm për vendin”. Sipas tij, s’ka parti më të gatshme se LDK-ja që të shkojë në zgjedhje.

“Nuk besoj që ka parti që është më e gatshme, do të thotë ne kemi kaluar në një proces komplet të plotë në strukturat e brendshëm. Në zgjedhjen e organeve të reja të partisë, në fuqizimin e mandatit të kryetarit Abdixhiku, kemi program të detajuar për qeverisje…Po zgjedhjet duhet të vijnë si rezultat i një procesi që e konstaton dorëzimin e qeverisë, arsyet pse kjo qeveri po dorëzohet dhe normalisht dorëheqjen e kryeministrit. Ne jemi të hapur për çdo periudhë e cila është periudhë e arsyeshme edhe në aspektin formalo-juridik edhe në aspektin praktik për organizim të zgjedhjeve”, ka potencuar Rukiqi.

Pro zgjedhjeve është shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës.