Fjalë Kyçe

LDK: Pandemia po del prej kontrollit, Qeveria po tregohet e paaftë

LDK: Pandemia po del prej kontrollit, Qeveria po tregohet e paaftë

Pa shtimit të numrit të rasteve me COVID-19, Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa e quan alarmante gjendjen me pandeminë COVID-19 dhe jashtë kontrollit të Qeverisë, thotë se populizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm Delta.

Në reagimin e LDK-së thuhet se “tani që për një ditë i kemi 352 raste të reja me COVID-19, kush merr përgjegjësinë? A është ndryshimi më shumë se përmirësim tani, apo perdja e një Qeverie populiste që merr merita për gjithçka ka rënë”.

“’Nga 781 raste kemi vetëm 9-të të reja sot. Natyrisht se sot, për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë, suksesi mund të merret si diçka e garantuar që do të ndodhte vetvetiu, por nëse e kthejmë shikimin vetëm 100 ditë mbrapa e kuptojmë dallimin që nuk është më pak se kontrast dhe ndryshimin që është më shumë sesa përmirësim’. Janë këto fjalët e raportit 100 ditësh të Qeverisë; fjalë si mburrje e marrje meritash – pa meritë – si simbolikë. Tani që për një ditë i kemi 352 raste të reja me COVID-19, kush merr përgjegjësinë? A është ndryshimi më shumë se përmirësim tani, apo perdja e një Qeverie populiste që merr merita për gjithçka ka rënë!”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.

Më tej LDK-ja thotë se “populizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm “Delta”, por një qasje racionale dhe një angazhim serioz me vaksinim. Sot, në Kosovë janë vetëm 9% të vaksinuar. Me numrat e tanishëm Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë. Masat e pakontrolluara ndërsa vazhdojnë të dërgojnë vendin drejt një mbyllje të sërishme, me kosto enorme për ekonominë dhe jetën publike. Tubimet e mëdha, e të hapura, pa një vaksinim paraprak, i kanë kontribuuar gjendjes së tanishme”.

Në anën tjetër, sipas LDK-së, menaxhimin e pandemisë e bën edhe më të vështirë largimi i rreth 650 anëtarëve të stafit të infermierëve nga klinikat që merren me trajtimin e pacientëve me COVID 19.

“Lëvdatat e thata më s’bëjnë punë. Meritat e përvetësuara edhe më pak. Neglizhenca e një Qeverie praktikante, është dëmi shoqëror i gjithë kosovarëve”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndryshe autoritetet shëndetësore në Kosovë, kanë njoftuar sot se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 352 persona të infektuar me coronavirus, kurse një person ka humbur jetën.

Më së shumti të infektuar janë shënuar në Prishtinë, gjithsej 68. Sipas njoftimi, në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 13 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1.659.

Sipas raportit ditor, më së shumti raste janë shënuar në grupmoshën 20-29 vjeç, përkatësisht 103 raste. Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 7 gusht 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 109,662 raste me COVID-19, 2,271 viktima ndërsa 105,732 pacientë janë shëruar.

Gjatë 24 orëve të fundit me vaksina kundër COVID-19 janë vaksinuar 9.590 persona. Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur nisi procesi i vaksinimit, në Kosovë janë administruar 487.685 doza të vaksinës. Me të dyja dozat janë vaksinuar 166.148 persona.

Në Kosovë, qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca apo Pfizer. Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të këtij viti të imunizojë kundër coronavirusit 60 për qind të popullatës.