Fjalë Kyçe

LDK po akuzon PSD se është bërë vegël e Qeverisë

LDK po akuzon PSD se është bërë vegël e Qeverisë

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, ka thënë se PSD-ja e Shpend Ahmetit është bërë vegël e Qeverisë së Kosovës.

“PSD është bërë vegël e këtij koalicioni qeverisës, kinse pa u bërë pjesë e qeverisë. Çdo gjë që kjo qeveri e sjellë në Kuvend ata e votojnë. Çdo javë ata e mbështesin këtë qeveri”, ka thënë ai, për televizionin publik.

Mustafa ka thënë se para se të ndodhte vendosja e takës është dashur të ndodhë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë.

“Është hera e parë që në histori të Kosovës nuk kemi raport të mirë me SHBA-në. SHBA ka shprehur pakënaqësinë për taksën në disa mënyra. Sikur raportet me SHBA-në të mos cenoheshin, atëherë nuk do të vinin gjithë këto reagime nga SHBA-ja”, është shprehur ai.

Sipas tij, si rezultat i taksës Serbisë i është dhënë një vegël për t’u ankuar.

Mustafa është shprehur se nëse një parti parlamentare nuk pranon të bëhet pjesë e qeverisë gjithëpërfshirëse, atëherë as LDK-ja nuk pranon dhe do të kërkonte që të shkohej në zgjedhje.