Fjalë Kyçe

“Lejoi që të burgosurit të dalin nga burgu pa përcjellje”, ky është arsyetimi i Albulena Haxhiut për shkarkimin e drejtorit të Qendres Korrektuese

“Lejoi që të burgosurit të dalin nga burgu pa përcjellje”, ky është arsyetimi i Albulena Haxhiut për shkarkimin e drejtorit të Qendres Korrektuese

Është shkarkuar nga detyra drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Isuf Iberdemaj.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Florent Gashi, duke thënë se vendimi është marrë nga Ministria e Drejtësisë.

“Vendimi është marrë nga Ministria e Drejtësisë, ata i kanë arsyet në vendim”, tha Gashi.

Ky vendim i marrë gjatë ditës së sotme, është nënshkruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në këtë vendim është treguar edhe arsyeja e shkarkimit të Iberdemajt.

Në vendim thuhet se Iberdemaj është shkarkuar për arsye se ka lejuar daljen dhe përcjelljen e të burgosurit B.M., nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për daljen dhe përcjelljen e personave të burgosur.

Në vendim po ashtu theksohet se rregullat e brendshme të SHKK-së lidhur me pranimin e detyrës dhe përcjelljes e të burgosurve përcaktojnë se në raste të tilla, kërkohet një njoftim paraprak me shkrim prej 72 orësh prej gjykatave si i domosdoshëm.

“Në rastin konkret sipas raportit të inspektoriatit nuk ka pasur një kërkesë për përcjellje nga ana e organeve kompetente. Me këtë argumentohet dhe provohet se nuk janë respektuar dispozitat ligjore në fuqi, dhe dalja nga Qendra e Paraburigmit dhe përcjellja deri te kthimi i tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore, dhe me këtë rast ish-Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë z.Isuf Iberdemaj ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të punës”, thuhet në vendim. /Reporteri.net