Fjalë Kyçe

Lekaj tregon se kur do të shkarkohet Rikalo

Ministri i Infrastrukturës, njëherit nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj tha se Qeveria i ka votat për ta kaluar buxhetin në seancën e paraparë të mbahet të shtunën.

Lekaj pohoi se kushti që PSD e ka kërkuar për shkarkimin e Rikalos do të ndodh nesër (e shtunë).

“Fatbardhësisht do të kemi miratimin e buxhetit, votat janë të siguruara. Ligji për paga do të procedohet. Marrëveshja me PSD-në do të respektohet me përpikmëri, që mund të them që edhe shkarkimi i Rikalos do të ndodh. E kam kolegë, por më vijë keq…”, theksoi Lekaj.

Mes tjerash Lekaj tha se nuk ka përçarje brenda koalicionit dhe se koalicioni po i kalon ditët më të mira që nga fillimi.

“Koalicioni numëron ditët më të mira që I kanë pasur. Sot erdhi edhe vendimi se greva në arsim do të ndërpritet. Bashkarisht Kryeministri, Kryeparlamentari dhe z.Limaj dhe gjithë koalicioni janë dakorduar që nga e hëna të filloj mësimi. Kjo është një dëshmi dhe porosi për të gjithë ata që mendojnë se koalicioni po lëkundet që të shohin edhe marrëveshjen e sotme”, deklaroi Pal Lekaj.

Me tjerash në emisionin “Debat Plus” për herë të parë u prezantua projekti i autostradës së Dukagjinit, puna e së cilës pritet të nisë në tetor të këtij viti ndërsa projekti në tërësi do të kushtojë rreth 1 miliard euro.