Nga e thëna në të bërë është në mes… UEFA. Leonardo kërkon t’i bëjë dy dhurata trajnerit Gattuso për të forcuar skuadrën, e cila po lufton për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve.
Një nga emrat e përfolur është ai i Kristof Piontek, për të cilin u tha se Milani kishte avancuar në bisedime dhe ishte shumë pranë arritjes së marrëveshjes për ta transferuar në merkaton e verës. Por, për momentin sytë e “Djallit” janë të drejtuara nga UEFA për të parë sesi do të zgjidhen problemet e “Fair Play Financiar”.
Dhe për bomberin polak duhet të bëjë shumë kujdes sepse disa ekipe të tjera të mëdha duan shërbimet e tij, mes tyre edhe Juventusi. Por edhe Reali i Madridit mund të bëjë një tentativë për ta transferuar në merkaton aktuale, duke parë problemet e shumta që ka në repartin e sulmit.
Menaxheri i lojtarit ka takuar drejtuesit e ekipeve të mëdha, të cilat kanë shfaqur interes dhe ka krijuar një ide për të ardhmen. Emri i tij lidhet me transferimin e mundshëm në disa skuadra të mëdha, por për momentin nuk ka asgjë konkrete.
E ardhmja e Piontek është si një ekuacion, por e sigurt është që Genoa nuk ka ndërmend ta lërë të lirë pa 60 milionë euro. Kjo është shifra që kanë vendosur drejtuesit për 23-vjeçarin.
Në sezonin e tij të parë në Serinë A, sulmuesi polak ka arritur të shënojë 13 gola në 19 ndeshje të luajtura, 1 më pak sesa “jashtëtokësori” Kristiano Ronaldo. Por Piontek ka arritur të shkëlqejë, edhe pse luan në një skuadër që ka si objektiv qëndrimin në Serinë A.