Sfida kryesore për hartimin e ligjeve për transformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtri ka qenë harmonizimi i gjitha amendamenteve në frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Kjo cështje ka sjellë nevojën që të bëhen më shumë se 100 amandamentime të tri ligjeve që në të ardhmen edhe nëse ndonjë grup parlamentar apo jashtë-parlamentar të i dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, askush të mos mund t’i kontestoj ato.
Një sfidë të tillë e ka shpjeguar për GazetënAlo, deputeti në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Shala për GazetaAlo ka shpjeguar se pati dy sfida kryesor në hartimin e tri projektligjeve.
“Pati dy sfida kryesore, e para ishte hartimi i tri projektligjeve në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe e dyta ishte harmonizimi me aleatët ndërkombëtarë”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, sikur Ushtria të transformohej sipas ndryshimeve kushtetuese edhe baza ligjore do të ishte më e lehtë.
“Tek e para, sikur Ushtria të transformohej sipas ndryshimeve kushtetuese ku do të krijohej edhe baza ligjore do të ishte më lehtë, por pasi kjo ishte e pamundur, atëherë rruga me vetëm bazën ligjore mori shumë kohë dhe u nevojit gjatë procesit të ndodhnin mbi 100 ndryshime të amendamenteve”, ka shtuar Shala.
Kjo punë me projektligjet, sipas Shalës, u ofron siguri që kushdo që i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese, nuk frikohen se ka ndonjë shkelje të Kushtetutës.
“Ishte një sfidë pasi duhej që të shikohej mirë që ligjet të ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, që askush të mos mund të i kontestojë për shkelje të Kushtetutës. Kjo punë sot na ofron sigurinë që kushdo që dëshiron t’i dërgoj këto ligje në Gjykatën Kushtetuese, ne nuk frikohemi se do të gjendet ndonjë shkelje e Kushtetutës”, ka potencuar Shala për GazetaAlo.
Harmonizimi me partnerët ndërkombëtare ishte një sfidë tjetër, sepse sipas Shalës një Ushtri pa partneritet me SHBA-në dhe NATO-në nuk i nevojitet Kosovës.
“Sfida e dytë ishte harmonizimi me partnerët ndërkombëtarë, sepse një ushtri pa partneritet me SHBA-në dhe NATO-në nuk i nevojitet Kosovës, pasi ne atje synojmë të jemi. Në moment që aleatët tonë kundërshtojnë Ushtrinë e Kosovës, e gjithë puna është e kotë”, ka thënë Shala.
Andaj edhe ligjet që kanë mundësuar transformimin e FSK-së në Ushtri, ofrojnë hapësirë të madhe që lejon bashkëpunim me NATO-në dhe aleatët perëndimorë për paqe, ka përfunduar Shala./GazetaAlo/