Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se procesi zgjedhor i 6 tetorit po vihet në pikëpyetje për shkak të keqadministrimit dhe humbjes së integritetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shkeljeve të shumta ligjore nga ky institucion.
Limaj tutje teksa ka folur rreth gabimit në formularët tha se heshtja në KQZ dhe veprimet jo ligjore të këtij organi tregojnë më së miri se ka edhe veprime të qëllimshme, të cilat sipas tij, duan ta rrënojnë integritetin e zgjedhjeve.
Kreu i Nismës ka vazhduar kritikat e tij ndaj KQZ-së duke e quajtur këtë institucion kaotik dhe jo funksional, pasi duke i ikur përgjegjësisë dhe duke mos marrë vendime për fletëvotimet e ardhura nga Serbia dhe ato nga diaspora, ka bërë shkelje ligjore.
“Duke ikur nga përgjegjësia KQZ duke mos marr vendime për paketat e kontrabanduara nga Serbia në njërën anë votat nga diaspora në vazhdimësi KQZ-ja ka shkelur ligjin zgjedhor në vazhdimësi dhe është sjell e papërgjegjshme me kompetencat dhe detyrat që ka, në anën tjetër nga shkelja e vazhdueshme e ligjit nga KQZ-ja ka ardhur si pasojë pastaj edhe vendimi i Gjykatës Supreme, i cili në tërësi e ndryshon këtë ligj zgjedhor”, tha Limaj.
I pari i Nismës Socialdemokrate paralajmëroi se me kohë do t’i denoncojë të gjithë shkelësit e ligjit dhe ata të cilët rrënuan procesin zgjedhor të 6 tetorit.