Fjalë Kyçe

Limaj e Shala: Zona ekonomike në Shirokë të Suharekës tashmë e kompletuar

Limaj e Shala: Zona ekonomike në Shirokë të Suharekës tashmë e kompletuar

Zëvendëskryeministri në detyrë, Fatmir Limaj së bashku me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kanë marrë pjesë sot në përurimin e asfaltimit të zonës ekonomike në Shirokë të Suharekës, zonë kjo e cila ka mbi 160 hektarë dhe mbi 70 biznese të cilat operojnë në të.

Limaj tha se kur kanë vizituar për herë të parë këtë park, ka qenë në gjendje të tmerrshme, për çka tha se kanë dhënë edhe premtim që të kompletojnë gjithë infrastrukturën që i duhet 73 kompanive.

“Këtu ia ka vlejtë që të gjithë ne të interesohemi për ta kompletuar këtu park ekonomik me gjithë infrastrukturën e vet. Sot ndihem i kënaqur që MTI dhe ministri Shala e ka përmbushur atë premtim që e kemi pasur. E kanë pasur për detyrë që të angazhohen dhe për implementimin e këtij projekti. Siç po e shihni ka filluar faza e fundit e asfaltimit të të gjitha rrugëve dhe blloqeve në këtë park, me implementim, me infrastrukturë, me kanalizim, dhe mbi të gjitha lidhja e rrugës me autostradën”, tha Limaj.

Sipas tij, sot po i dhurohet Suharekës një projekt i jashtëzakonshëm, duke hapur mundësi edhe për vende të reja të punës.

E ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se kjo zonë ka qenë e harruar për 10 vjet me radhë nga dora e shtetit. Krahas kësaj, tha se premtimi që kishte dhënë Limaj para dy viteve, tashmë veç se po realizohet.

“Kjo zonë ekonomike tashmë është funksionale, me gjithë infrastrukturën përcjellëse që u nevojitet bizneseve që ta kenë më të lehtë të bërit biznes. Jemi në një zonë ekonomike, e cila është 160 hektarë, ku janë të vendosur mbi 70 biznese dhe me një investim 2.6 milionë euro të MTI”, u shpreh Shala.

Mes tjerash, Shala tha se janë duke investuar edhe në tri zona tjera ekonomike, me qëllim që të lehtësohen kushtet e të bërit biznes në Kosovë.