Fjalë Kyçe

Limaj i tregon ministrit gjerman se çka duhet të sjellë marrëveshja me Serbinë

Limaj i tregon ministrit gjerman se çka duhet të sjellë marrëveshja me Serbinë

Zëvendëskryeministri njëherësh bashkëdrejtues i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka pritur sot në takim drejtorin për Ballkan në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Helbach dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e tanishme, me theks të veçantë dialogun Kosovë-Serbi. Limaj e ka informuar zyrtarin gjerman për punën e këtij delegacioni si dhe platformën për dialog me Serbinë.

Ai ka thënë se kjo platformë do ta paraqesë zërin unik të Kosovës dhe do ta reflektojë vizionin dhe pozicionin zyrtar të vendit në bisedimet me Serbinë.

“Ishte konkludim i përbashkët që marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellë paqe e stabilitet në këtë pjesë të rajonit dhe të hapë perspektivë evropiane për të dy vendet”, ka thënë Limaj, duke i falënderuar Helbach dhe Heldt për ndihmën e vazhdueshme që shteti gjerman ka dhënë për Kosovën në të gjitha etapat/Gazeta Alo/