Fjalë Kyçe

Limaj letër publike kandidatëve për kryeministër, çfarë u kërkon atyre?

Limaj letër publike kandidatëve për kryeministër, çfarë u kërkon atyre?

Kryetari i Nisma për Kosovën, njëheresh edhe kandidat për kryeministër nga koalcionin NISMA-AKR-PD, iu është drejtuar kandidatëve të partive të tjera për kryeministër me një letër publike.

Limaj ka ftuar të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita.

Ai gjithshtu është zotuar se NISMA edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të kontribuon, së bashku me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe të re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor.

“NISMA Socialdemokrate zotohet publikisht se pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën e VII-të do të kontribuon, së bashku me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe të re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor.

Edhe pse në këtë garë elektorale hyjmë me besim se koalicioni ynë do të dalë fitues, zotimin publik se do të jemi pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të përmbushet nga ana e jonë pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare: Interesi i Kosovës është mbi të gjitha!

Meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli, ftoj të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita”, ka shkruar Limaj.

Limaj gjithashtu ka thënë se refuzimi i opozitës për të qenë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në dialog me Serbinë, u reflektuan tejet negativisht në imazhin e Kosovës

“Refuzimi i opozitës për të qenë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në dialog me Serbinë edhe duke qenë në opozitë pamundësoi krijimin e një delegacioni e strategjie të përbashkët shtetërore në funksion të përmbylljes së këtij procesi.

Përçarjet brenda spektrit politik dhe institucional të Kosovës u reflektuan tejet negativisht në imazhin e Kosovës dhe, fatkeqësisht për të gjithë ne, gishti i fajësimit për bllokimin e dialogut u drejtua në drejtim të Kosovës.

Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë.”

Në fund, Limaj ka theksuar se, vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do të kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur.

“Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk duhet të konsiderohen thjesht si zgjedhjet e radhës, sepse kur të kemi parasysh sfidat që e presin vendin tonë, bëhet e qartë se këto zgjedhje, pa asnjë dilemë, do të jenë zgjedhje të një rëndësie të veçantë për ardhmërinë e Kosovës.

Vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do të kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur. Përmes këtij veprimi do të përmbushim obligimin moral ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Fundi i fundit, bashkëveprimi në interes të Kosovës është një obligim edhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh”, ka përfunduar Limaj.

https://www.facebook.com/FatmirLimajKM/posts/125692635466145