Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pa u zgjidhur fati i personave të zhdukur nuk do të mund të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.
Kreu i Nismës ka thënë se sot rikonfirmojnë vendosmërinë e Kosovës se nuk do të lenë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur.
“Çështja e personave të zhdukur është plagë e cila rendon mbi shoqërinë tonë tash e 20 vjet dhe se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë për sa kohë nuk zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Limaj.
Postimi i plotë i Limajt:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Peronave të Pagjetur, sjellim në kujtesë se në çfarë dhimbjesh ka kaluar vendi për të ardhur deri te liria.
Sot rikonfirmojmë vendosmërinë tonë si shtet se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur.
Çështja e personave të zhdukur është plagë e cila rendon mbi shoqërinë tonë tash e 20 vjet dhe se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë për sa kohë nuk zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kosova dhe institucionet e saj nuk do të ndalen së kërkuari asnjëherë për drejtësi për të gjithë personat e pagjetur.