Kreu i Nismës Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Këshillit të kësaj partie, Jakup Krasniqit.
Limaj para mediave ka thënë se skenat e tilla janë të panevojshme dhe se traumatizmi i familjes ka mundur të mos ndodhë.
“Ne mendojmë që ka qenë e panevojshme skena të tilla. Ne besojmë që angazhimi i shumë forcave policore në bastisje ka qenë në disproporcion me nevojën. Ne besojmë që një bastisje e tillë nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasur nevojë të shkohet në 6 të mëngjesit, pa pasur nevojë të traumatizojë, por thjesht duke njohur personalitetin e z.Krasniqi, gjithë kjo ka mundur të bëhet në mënyrë tjetër”, tha Limaj
Ai tutje ka thënë se bashkë-ndjen me Krasniqin, duke thënë se ai është i përgjegjshëm ndaj drejtësisë.
“E kuptoj se si njehet familja e z.Krasniqi sepse kemi kaluar në situata të tilla dhe ne sot bashkë-ndjejmë. Në situata të tilla vlerësohen personalitetet, njerëzit dhe sjellja e tyre, përgjegjshmëria e tyre ndaj proceseve. Krasniqi sot, unë besoj nuk ka personalitet në kombin shqiptar në mesin e të gjallëve, nuk ka sot as Kosova as Shqipëria që është personifikim i lirisë, i shtetit të Kosovës”, tha Limaj.
Gjithashtu, kreu i Nismës ka thënë se ndihet krenar me jetën dhe veprën e Krasniqit, pasi i njëjti gjithë jetën e tij e ka pasur luftë për drejtësi, liri dhe mirëqenie.
“Ne ndihemi krenar me gjithë jetën dhe veprën e tij dhe ajo jetë dhe vepër e tij nuk daton nga 98-ta, por gjithë jeta e tij, nga vitet e 70-ta e gjithë jeta e tij ka qenë në shërbim të lirisë, ai me vetëdije ka sakrifikuar lirinë e vet individuale për lirinë kolektive. Duke e njohur dhe duke qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i tij me vite të tëra, njeriu që na ka udhëzuar me këto virtyte, unë e di se çfarë do të thoshte sot z.Krasniqi sepse e ka dhënë në raste të tjera, ai asnjëherë s’do t’i bënte opozitë drejtësisë, s’do të dilte kundër drejtësisë. E gjithë jeta e tij është luftë për drejtësi, për liri dhe për mirëqenie”, tha Limaj
Limaj në fund ka thënë se Krasniqi po arrestohet në kohën kur zëdhënësi i Millosheviqit po emërohet kryetar Kuvendi në Serbi.
“Përkundër kësaj goditje, jo të papritur, ne qëndrojmë fort në mbështetje të fuqishme me besim të palëkundur në pastërti dhe atdhetarizmin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, z.Jakup Krasniqi”, tha Limaj.