Fjalë Kyçe

Limaj viziton parkun e biznesit në Budrikë të Vitisë

Limaj viziton parkun e biznesit në Budrikë të Vitisë

Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Kosova nuk zhvillohet me fjalë, por me veprime konkrete të cilat janë parakusht për zhvillimin e bizneseve. E sipas tij, shembull i atyre që veprojnë është ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Këto komente Limaj i bëri me rastin e vizitës në Parkun e Biznesit në Budrikë të Vitisë, ku në shoqërinë e ministrit Shala inspektuan nga afër punimet që po bëhen në këtë zonë.

Kandidati i koalicionit NISMA-AKR-PD, tha se krijimi i kushteve të mira për bizneset është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet ndjekur për të ndihmuar bizneset dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai tha se ministri në detyrë, Endrit Shala është duke bërë një punë të shkëlqyer në krijimin e parakushteve për biznes, që ka qenë edhe një nga premtimet e Nisma-s.

“Krijimi i zonave ekonomike, krijimi i kushteve më të mira të njerëzve tanë punëtorë, bizneseve tona, është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet ndjekur nëse duam t’i ndihmojmë biznesit, të hapim vende të reja të punës, të krijojmë kushte për banorët e zonës dhe komunat përkatëse. Kjo zonë ekonomike do të ketë impakt të madh ekonomik për Vitinë. Përveç që i shton buxhetin komunës së Vitisë, shton mundësinë e punësimit të dhjetëra e qindra njerëzve të këtij regjioni. Po ashtu, i jep një impuls zhvillimit ekonomik të zonës së Vitisë dhe të Gjilanit”, tha ai.

Ai u shpreh se kohë më parë, bizneset me vetiniciativë kanë rregulluar infrastrukturën, ndërsa tash ministri Shala me punën e tij, siç tha Limaj, po u ofron bizneseve gjithë atë që kanë nevojë.

“Ne punojmë, ne veprojmë, dhe koha është me punu, me u pa veprat. Ne duam njerëz praktik, ministri Shala është njeri praktik, jo njeri i llafeve. Me fjalë nuk zhvillohet Kosova. Kosova zhvillohet këtu ku jemi sot ne, me projekte konkrete, duke ia zgjatur dorën njerëzve të kësaj zone dhe njëkohësisht duke i dhënë mbështetje bizneseve”, tha Limaj.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se kjo është zona e tretë ekonomike në të cilën janë duke investuar si ministri, e që arrin vlerën prej 1.8 milionë euro.

Ai u shpreh se janë të përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për bizneset, për çka tha se do të vazhdojnë me investime të tjera edhe në komunat tjera. E siç tha ai, investimi i radhës do të jetë në komunën e Malishevës.

“Ishim për t’i parë punimet që janë duke u zhvilluar në zonën ekonomike të Vitisë, investim ky afër 1.8 milionë euro, i realizuar nga MTI. Dhe, gjithë kjo siç e tha edhe kryetari Limaj, me qëllim që të krijojmë parakushte sa më të mira të të bërit biznes në Kosovë. Kjo është zona e tretë ekonomike në të cilën MTI është duke investuar dhe janë duke punuar. Shumë shpejt fillojmë edhe me zonën ekonomike në Malishevë, zonë kjo e cila bashkë me komunitetin tonë të diasporës do të jetë në dispozicion edhe të bizneseve tona të diasporës”, tha ai.

Shala tha se gjithçka është duke shkuar në bazë të afateve të parapara.