I akuzuar për mos deklarim të pasurisë, nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi, është liruar nga akuza e cila atë e ngarkonte me veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë.
Në gjykatore nuk ishte paraqitur askush nga palët në procedurë, as i akuzuari dhe as prokurorja, andaj gjykatësi Ramiz Azizi për Kallxo.com tha se i akuzuari është liruar në mungesë të provave.
“Pasi askush nga palët nuk qenka prezent në gjykatore mund të konfirmoj se i akuzuari është liruar në mungesë të provave”, tha ai.
Në seancën e fundit, duke dhënë fjalën përfundimtare, prokurorja Bahtie Ademi kërkoi nga Gjykata qe të akuzuarin ta shpall fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit.
Kurse i akuzuari Faton Jakupi duke dhënë fjalën e tij përfundimtare dje tha se vazhdon ta mohoj se e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, andaj i propozoj Gjykatës që ta liroj nga përgjegjësia penale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari Faton Jakupi në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kamenicës edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, të njëjtën nuk e ka bërë.
Akuza thotë se i akuzuari Jakupi, gjatë vitit 2018 në formularin e dorëzuar më 22.03.2019 në AKK, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara dhe nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Range Rover”, edhe pse i njëjti ka qenë në pronësinë e tij.