Fjalë Kyçe

Listë e gjatë e pjesëtarëve të UÇK-së që do të thirren nga Haga

Listë e gjatë e pjesëtarëve të UÇK-së që do të thirren nga Haga

OVL e UÇK-së thotë se shumë ftesa tjera kanë arritur nga Gjykata Speciale, por nuk tregon emrat – raporton T7. Ftesat për udhëheqësit e ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shtohen dita ditës.

Të premten, pos kryeministrit tashmë në dorëheqje Ramush Haradinajt dhe këshilltarin e presidentit Hashim Thaçit, Bislim Zyrapi, dhe ish kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, u përfol edhe për ftesa të tjera që tashmë kanë arritur në Kosovë.

Edhe vetë presidenti i vendit e pohoi se edhe eprorë të tjerë të UÇK-së janë ftuar nga Gjykata Speciale. Një ditë më vonë, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pohojnë se ka shumë ftesa për ish ushtarë të UCK-së.

Hysni Gucati nga kjo organizatë, thotë se nuk përjashtohen as ish komandantët por nuk përmend emra. Ai tregon se për disa ftesa njoftohen paraprakisht.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka thotë se në listë janë shumë zyrtarë tjerë të shtetit. Madje Zeka thotë se një deputet veçse është intervistuar por që nuk e ka bërë këtë publike.

Televizioni T7 të shtunën ka kërkuar një qëndrim nga deputeti Shala nëse qëndrojnë deklaratat e Zekës, por i njëjti nuk është deklaruar për këtë çështje.