Sot është hedhur shorti për çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Mbretit dhe ky short i shtoi dy ndeshje mjaft emocionuese në agjendat e tifozëve të futbollit, pasi që në këtë xhiro do të përballen mes vete Real Madridi dhe Barcelona.
Ndeshja e parë do të zhvillohet të Camp Nou më 6 shkurt, ndërsa ndeshja kthyese në Santiago Bernabeu më 27 shkurt, transmeton Gazeta Express.
Real Madridi dhe Barcelona janë takuar plot 20 herë në Kupën e Mbretit dhe që të dyja kanë dalë nga këto ndeshje nga dhjetë herë si fituese.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të zhvillohet mes Real Betisit dhe Valencias. Fituesi i kësaj ndeshjeje do të përballet me fituesin e El Clasicos në finale të Kupës së Mbretit.
Barcelona do të tentojë ta fitojë për të pestën herë radhazi titulline Kupës së Mbretit, ndërsa Real Madridi do të tentojë ta dëshmojë veten në këtë garë pasi që gjasat për ta fituar titullin e La Ligës janë shumë të vogla.
“Kjo është njëra ndër ndeshjet më të mrekullueshme në botën e futbollit”, ka thënë drejtori i marrëdhënieve institucionale të Real Madridit, Emilio Butragueno. Ndërsa, kundërshtari i tij në Barcelona, Guillermo Amor, tha: “Duhet të jesh i guximshëm për t’u përballur me Real Madridin”.