Fjalë Kyçe

Lladrovci kërkon të zgjatet edhe dy javë regjistrimi i popullsisë

Lladrovci kërkon të zgjatet edhe dy javë regjistrimi i popullsisë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të zgjatet edhe për dy javë “që të përmbushet qëllimi i vetë procesit dhe rëndësisë së tij”.

Lladrovci ka thënë se këtë kërkesë ia ka bërë me shkrim kryeministrit Albin Kurti dhe drejtorit të Agjencisë së Statistikave (ASK), Avni Kastrati.

Kryetari i Drenasit ka treguar se ka shprehur shqetësime për procesin që kur kanë nisur përgatitjet për të. Prandaj, sipas tij, që të përmbushet qëllimi i procesit duhet edhe dy javë kohë shtesë.

“Në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin Kurti, më 5.4.2024, kam paralajmëruar vështirësitë që e kanë përcjellë përgatitjen e regjistrimit të popullsisë dhe fillimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për pushtetin lokal dhe qendror dhe kam kërkuar zgjatjen e afatit. Para kësaj, po ashtu, më 2 nëntor, kam ngritur shqetësimin lidhur me vonesat rreth procesit të rekrutimit, paraqitjes së vështirësive me aplikantët për regjistrues, për kohën e trajnimit dhe informimit. Nga rrjedha e deritashme e këtij procesi në komunën e Drenasit, me qëllim të përmbushjes së qëllimit të vet procesit, rëndësisë së tij, nga situata e deritashme e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në komunën e Drenasit, kërkoj të zgjatet procesi i regjistrimit edhe për dy javë. Këtë kërkesë me shkrim ia kam bërë kryeministrit Kurti dhe drejtorit të ASK-së, Avni Kastratit”, ka shkruar Lladrovci në Facebook të martën.

Ai ka ftuar qytetarët e Komunës së Drenasit të regjistrohen.

“Është obligim ligjor e moral, kështu e vlerësoni edhe vendbanimin, komunën tuaj dhe Kosovën”, ka shkruar tutje Lladrovci.

Regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill. Është planifikuar të zgjasë deri më 17 maj. Deri tash, sipas ASK-së, janë regjistruar mbi 1.4 milionë banorë.