Fjalë Kyçe

Lladrovci pro tërheqjes së Trustit: Është çështje e qytetarëve nëse i çojnë ato para në bregdet

Lladrovci pro tërheqjes së Trustit: Është çështje e qytetarëve nëse i çojnë ato para në bregdet

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se është pro tërheqjes së 30 përqindëshit të mjeteve nga Trusti në rast se qytetarët janë në krizë.

Ai ka pranuar se edhe vetë ka tërhequr para nga Trusti, ndërsa ka thënë se ka mjete të mjaftueshme në Trustin Pensional.

“Unë kam tërhequr para nga Trusti, unë kam mjete të mjaftueshme në Trust sepse rrogat e mia kanë qenë me të mëdha. Nuk po them që duhet tërhequr 30 për qind të Trustit, por njerëzve duhet t’u jepet mundësia me i tërheqë ato nëse kanë krizë”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka thënë se është çështje personale e qytetarëve se ku mund të vendosin t’i shpenzojnë këto mjete.

“Unë besoj se ka krizë, sa për qind është temë tjetër, ku i çojnë qytetarët ato para, në bregdet të Shqipërisë apo diku tjetër, është krejt vendim i çdonjërit me i tërheqë, nëse e lejojnë 30 për qindëshin, unë prapë do t’i tërheq sepse do t’i shfrytëzoja”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Tutje, Lladrovci ka thënë se qytetarët do të kishin mundësi t’i shfrytëzonin mjetet e tyre për qëllimet e veta.

“Unë nuk jam ekspert por partia ime ka kërkesë për lejimin e tërheqjes së 30 për qind, është vendimi i qeverisë që nëse e lejon sigurisht që njerëzit do ta shfrytëzojnë për qëllime të veta. Nuk mendoj që ka me u bo shtëpi dikush me ato që ka për t’i tërhequr. Mirëpo, unë e pranoj çfarëdo vendimi që e merr parlamenti sepse në një demokraci duhet të vendosim me shumicën e votave”, ka përfunduar ai.