Fjalë Kyçe

Lluka: Humbja vjetore në Telekom është rreth 14 milionë euro

Lluka: Humbja vjetore në Telekom është rreth 14 milionë euro

Ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka në Puls të KTV, ka folur për gjendjen e mjerueshme të Telekomit, humbjen që ka pësuar dhe punësimet e fundit politike e familjare.

Sipas Llukës Posta, Telekomi dhe Ujësjellësi kanë sfida të vazhdueshme që nga paslufta.

“Duhet guxim më i madh për t’i privatizuar që mos të bëhen barrë më e madhe. Sidomos, Telekomi”, tha ai.

Telekomi, tha Lluka, në kohët më të mira ka qenë monopol.

“Telekomi edhe sot ka treg të konsiderueshëm. Privatizimi është trend global, ne s’jemi të vetmit”, tha Lluka.

“Në Telekom është situatë për të qajtë. Nëse ka nepotizëm është e papranueshme. Te rasti i parë që ka punësuar 4 fëmijë, ne kemi marrë menjëherë procedurat për shkarkim, e ai dha dorëheqje (Rasti i Osman Ejupit). Jemi në kohën kur po bëjmë vlerësimin e performancës së Bordit. Ka indikacione sa i përket rritjes së qarkullimit. Për punësimet e fundit kemi kërkuar përgjegjësi nga Bordi. Për mua, janë të paarsyeshme. Rreth 2300 ishin me drejtorin e kaluar të Bordit, ndërsa tani rreth 2600. Kjo po e rrezikon Telekomin. Çdo mbingarkesë në Telekom e pengon performancën e tyre”, tha tutje Lluka.

Punësimet e fundit, tha ai, tani kryesisht po bëhen me kontrata mbi vepër.

“Me një trend të tillë në Telekom, do bëhet barrë e shtetit, prandaj është i nevojshëm privatizimi”, tha ministri.

“Është e rëndësishme të ceket se në kohën e privatizimit, do të shikohet puna e eksperiencës. S’do të jetë njëjtë si për ata që kanë punuar që sa vite si për ata që janë punësuar së fundmi”, tha ai.

Rreth 14 milionë euro Telekomi ka humbje brenda vitit, sipas Llukës.

Ka folur edhe për rastin që Telekomi i Kosovës ka lidhur jashtëligjshëm një marrëveshje të konfidencialitetit që i mundëson kompanisë “Artillery One”, me bazë në Karolinën e Veriut, qasje të plotë në dokumentet financiare, por Lluka thotë, se nëse kjo kompani ka marrë qasje të limituar, është shkelje ligjore.

“Kam kërkuar llogari nga menaxhmeti. Menaxhmenti ka thënë se ka pasur qasje të limituar jo në të gjitha zonat. Qasja në detaje është e ndaluar para privatizimit”, tha tutje.

“Nëse u ka dhënë qasje të limituar, definitivisht ka shkelje ligjore”, tha Lluka në vazhdimësi.

Me ardhjen e re të Menaxhmentit në Telekom, sipas Llukës, vjen edhe një frymë e re.