Fjalë Kyçe

Lluka: Ndalja e pensioneve për familjet e të pagjeturve, lëshim i qeverisë së kaluar

Lluka: Ndalja e pensioneve për familjet e të pagjeturve, lëshim i qeverisë së kaluar

Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka, ka thënë ndalja e pensioneve për familjet e personave të pagjetur ka qenë një lëshim nga qeveria e kaluar.

Lluka, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se sot në takimin me kryeministrin janë diskutuar disa nga ndryshimet në Ligj, që kanë shkaktuar pakënaqësi te familjarët e të pagjeturve.

“Familjarit i është ndaluar njëri pension, sepse nuk mund t’i marrin dy pensione me arsyetimin që duhet të përcaktohen për njërin pension, pensionin si familjar i të zhdukurit, apo pensionin e vet si kontributdhënës”.

Lluka ka thënë se ky vendim i institucioneve është një diskriminim, pasi askujt nuk mund t’i mohohet pensioni për punën e tij prej 40 viteve.

“Është një diskriminim pasi që ata që kanë punuar 30 apo 40 vjet në ndërmarrjet e veta. Duhet të përcaktohen për djersën e vet, apo për familjarin e zhdukur”, tha ai.

Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës ka thënë se ndoshta ky vendim nga qeveria e kaluar është bërë për të kursyer disa para, por ai është një vendim i gabuar.

“Është bërë një lëshim në raport me familjarët e personave të zhdukur, për arsye se një shumë prej 160 eurove nuk mund të kompensojë dhimbjen e familjarëve… Mos të harrojmë se ankthi i familjarëve të të zhdukurve nuk mund të kompensohet e as paguhet”, tha Lluka.