Fjalë Kyçe

Lot e britma në spital, familjarët identifikojnë të afërmit e tyre të rënë në aksident

Lot e britma në spital, familjarët identifikojnë të afërmit e tyre të rënë në aksident

Ishte e dhimbshme për të parë lotët dhe për të dëgjuar britmat e familjarëve të personave që vdiqën në aksidentin e sotëm. Ata mbërrinë në spital pasditen e së dielës për të identifikuar të dashurit e tyre, shkruan mediumi kroat, Jutarnji.hr.

Dhjetë prej tyre vdiqën në vend, dhe megjithëse fillimisht ishte e vështirë për t’i identifikuar, disa orë pas tragjedisë, policia arriti të bënte lidhjen e viktimave me dokumentet e tyre.

Ndërkohë është bërë identifikimi i dy personave të tjerë, familjarët e të cilëve, për arsye të kuptueshme, nuk ishin në gjendje të flisnin. Ata thjesht po kërkonin ngushëllim te njëri-tjetri, shkruan Jutarnji.hr.

Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.