Lotaria spanjolle e Krishtlindjes ose e njohur më shumë si “El Gordo” (I trashi) ka shpallur sot fituesit e saj. Dhe ata janë shumë! Plot 170 veta kanë fituar nga 4 milionë euro, pasi që 170 veta kanë qëlluar numrin e saktë, i cili kësaj here ka qenë: 26590, shkruajnë mediat botërore.
Po ashtu “El Gordo” ndan edhe 1800 çmime tjera, më të vogla.
Me shumën e grumbulluar të parave prej 2.4 miliardë eurosh, “Loteria de Navidad” është lotaria më e madhe në botë.
Ajo është po ashtu lotaria më e vjetër në botë që vazhdon të luhet, transmeton albinfo.ch. Tërheqja e parë e kësaj loje shpërblyese është bërë në vitin 1812.
Shuma që u ndahet fituesve në këtë lotari është vërtet e madhe por edhe pagesa e biletës nuk është aspak e lirë: ajo kushton plot 200 euro. Por, meqë kjo lotari ka më shumë karakter shoqëror, zakonisht bëhen bashkë shumë miq dhe e paguajnë biletën në fjalë.
Tërheqja e numrave fitues është një spektakël i madh, i cili ndiqet nga miliona shikues përmes televizionit, përcjell albinfo.ch. Duke qenë se ka shumë fitues, spektakli i transmetuar drejtpërdrejt në televizion, ka zgjatur rreth katër orë. Tradicionalisht, tërheqja e numrave u besohet nxënësve të internatit “San Ildefonso”, të cilët këtë veprim e bëjnë duke e shoqëruar me këngë.