Pas humbjes nga Ballkani në javën e kaluar, Drenica i është kthyer fitores, pasi sot e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 3:1.
Trajneri i kuqezinjve, Tahir Lushtaku, është shprehur i kënaqur me rezultatin, por më tepër edhe me qasjen që patën futbollistët e tij.
“Në ndeshjen me Ballkanin ishim një skuadër që nuk i ngjante aspak Drenicës. Sot patëm qasje shumë serioze që nga minuta e parë, kemi funksionuar mirë dhe në fund shënuam fitore të merituar”, ka thënë Lushtaku për Super Sport Kosova.
Ai ka shtuar se Drenica duhet të jetë shumë e kujdesshme për ndeshjet e radhës, pasi janë shumë skuadra me numër të përafërt të pikëve.
Pas fitores së sotme, Drenica renditet në pozitën e 5-të me 27 pikë.