Fjalë Kyçe

LVV deklarohet për dorëheqjen e 50 aktivistëve

LVV deklarohet për dorëheqjen e 50 aktivistëve

Kryesia e LVV-së në Mitrovicë ka reaguar pas një publikimi në rrjetin social lidhur me dorëheqjen e 50 aktivistëve të LVV-së.

Sipas kësaj kryesie thuhet se personi i cili i ka publikuar këta emra është ish-kryetar i qendrës në Kçiq.

“Në listën e publikuar ka emra që nuk janë fare në databazën e anëtarësisë tone”, shkruhet në Facebook-unë e kësaj qendre.

Ja reagimi i plotë:

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Mitrovicë priti me habi postimin e një ish aktivisti, ish kryetar i pikës sonë në Kçiq për “dorëheqjen” e 50 anëtarëve tonë në pikën Kçiq.

Dëshirojmë të sqarojmë disa fakte:

– Kryesia e pikës në Kçiq është në procedura disiplinore qysh nga muaji tetor i vitit 2018 për shkak të shkeljeve të shumta statutore dhe disa sjelljeve në kundërshtim me vlerat etike dhe morale.

– Në listën e publikuar ka emra që nuk janë fare në databazën e anëtarësisë tonë

– Disa nga emrat që janë në atë listë janë përjashtuar kohë më parë, dhe në rastin e tyre nuk ka sens dorëheqja

– Një pjesë e atyre që janë anëtarë, janë përfshirë në listë pa u pyetur fare për dhe menjëherë na kanë thirrur për të përgënjeshtruar dorëheqjen

– “Paria” e kësaj liste pa asnjë hezitim ka pranuar subvencionet nga Komuna e Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë fakt kur akuzon për nepotizëm dhe klane.

Dëshirojmë të theksojmë se pika në Kçiq ka shumë më shumë aktivistë se këta të “dorëhequrit” përfitues dhe se pika Kçiq është vetëm njëra nga shumë pikat në Qendrën tonë.

Kjo dorëheqje e sinkronizuar është tentim i përsëritjes së skenarit të janarit të vitit të kaluar, ku qëllimi i vetëm është dëmtimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mirëpo edhe këta do të përfundojnë njëjtë sikurse urdhërdhënësit e tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është e interesuar të humbë asnjë aktivist, por ne nuk mund të pranojmë shantazhe prej askujt që i vendos interesat e ngushta personale para interesave qytetare e shtetërore.