Fjalë Kyçe

LVV: Komuna e Podujevës, manipulime me konkursin për arsim

Komuna e Podujevës ka bërë shkelje në rastin e konkursit shtesë për pranimin e arsimtarëve. Kështu shprehet Fitim Haziri, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Sipas tij, se Komuna e Podujevës punëson vetëm militantët e vetë, e dëshmon edhe konkursi i hapur për mësimdhënës nga Drejtoria e Arsimit. Sipas Hazirit, në këtë konkurs, ku kërkoheshin katër mësimdhënës në katër shkolla të ndryshme të Podujevës, janë shkelur kriteret, të cilat vetë Komuna i ka kërkuar në konkurs.

Në këtë shpallje të lëshuar nga Drejtoria e Arsimit, thuhet se ky konkurs është bërë në bazë të Udhëzimit Administrativ (MASHT) nr. 10-2018, mbi kuadrin e arsimit profesional të arsimit të përgjithshëm. Ky udhëzim në vete ka edhe nenin 10 dhe 11 që obligon të gjithë kandidatët t’i nënshtrohen testit me shkrim e më pastaj edhe me gojë.

‘Mirëpo, në bazë të informatave që kam nga vetë kandidatët, ky udhëzim nuk është respektuar nga Drejtoria e Arsimit, ndërsa janë punësuar militantëtË, thotë Haziri.

Sipas tij, kjo tregon se Komuna e Podujevës nuk përfillë as udhëzimin administrativ që thirret në të, vetëm e vetëm t’i rehatojë të pakënaqurit e vet, duke i lënë njerëzit me shkollën e lartë të kryer buzë greminës, e duke i punësuar militantët e vet. ‘Kjo tregon se punësimi në Podujevë është kapur nga kryetari Veliu’.

‘Ftoj të gjithë ata që kanë aplikuar në këtë konkurs që të ankohen, vetëm edhe nesër ka kohë për ankesa, se këtu ka shkelje me të dy këmbët në këtë udhëzim dhe komuna do të obligohet që të hap prapë konkursin për këto pozita’, thotë Haziri.