Skuadra e Malishevës po synon ta mbajë pozitën e parë në tabelë edhe pas xhiros së 26-të në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Malisheva është e para në Grupin A me 54 pikë, dy më shumë se Dukagjini që është i dyti. Malisheva ndeshjen e radhës e luan ndaj Trepçës. Ky duel luhet të shtunën prej orës 15:00 në stadiumin “Liman Begaj” dhe do të transmetohet direkt në KTV.
Deri në fund të këtij sezoni kanë mbetur edhe dy xhiro, kurse skuadra që përfundon në pozitën e parë automatikisht do të inkuadrohet në Superligë. E këtë pozitë po synon ta mbajë Malisheva deri në fund të këtij sezonit.
Përderisa Malisheva e pret në shtëpi Trepçën, ekip që zë vendin e pestë në tabelë me 33 pikë, skuadra e Dukagjinit i bën konak Drenasit, që është i parafundit në tabelë.
Ndërkohë, në Grupin B, dy skuadrat e para në tabelë do të luajnë në shtëpi. Ulpiana – që është lidere me 47 pikë të mbledhura – e pret Kikën, derisa Flamurtari – që zë vendin e dytë në tabelë me 46 pikë – e pret KEK-un që është i fundit dhe rrezikon rënien, me 25 pikë. Të gjitha ndeshjet në Ligën e Parë – Grupi A dhe Grupi B – do të zhvillohen të shtunën prej orës 15:00.