Fjalë Kyçe

Maloku: Pas vitit të ri do të vendosim për dorëheqjet e prokurorëve serbë

Maloku: Pas vitit të ri do të vendosim për dorëheqjet e prokurorëve serbë

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku në konferencën vjetore për medie, ku prezantoi punën një vjeçare të KPK-së, ka komentuar ndryshimin e masës së sigurisë për ish-policin serb, Dejan Pantiq. Ai tha se nuk është përgjegjësi e Prokurorisë të sigurojë sjelljen e Pantiqit para organeve të drejtësisë.

Gjatë kësaj konference, Maloku tha se në vitin 2022, kanë shënuar efikasitet në luftim të korrupsionit dhe krimit ekonomik, ndërsa si sfida për këtë institucion, tha se ishin dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit për çka tha se është përgjegjësi e presidentes, Vjosa Osmani. Si sfidë, ai përmendi edhe vendimin për uljen e pagave për prokurorët.

Sa i përket dorëheqjeve të prokurorëve serbë, Maloku beson që pas festave të fundvitit do të marrin vendime meritore për këto dorëheqje.

Ai theksoi se për këta prokurorë tashmë janë pezulluar edhe pagat.

“Ka qenë dhe është për neve bukur një situatë jo fort e këndshme dhe komplekse. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pas pasojat më të rënda edhe për shkak të mungesës, por edhe stafit administrativ ne si Këshill kemi vendosur që këto dorëheqje t’i trajtojmë jo si dorëheqje që kanë ofruar menjëherë këta 10 prokurorë por kemi vendosur t’i trajtojmë secilën veç e veç”, ka thënë ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës edhe njëherë ka shprehur kundërshtimet e këtij institucionet karshi procesit të vettingut.

Sipas tij, ky proces me ndryshime kushtetuese sjell pasoja, jo dobi.

“Nuk e përkrahim një proces të vettingut klasik siç i themi ne për shkak se kemi menduar se më shumë ka pasoja se sa sjell dobi sistemit prokurorial dhe gjyqësor nuk e di çfarë dobie i sjell qytetarit nëse ndodh vetting që më tepër ka pasoja sesa dobi”, theksoi ai