Fjalë Kyçe

“Marrëveshja e Prespës mund të marrë një shumicë votash nga parlamenti grek”

“Marrëveshja e Prespës mund të marrë një shumicë votash nga parlamenti grek”

“Gjithmonë kam menduar se Marrëveshja e Prespës, në një mënyrë të balancuar, të drejtë dhe të dobishme, zgjidh çështjet që kanë shkaktuar dyshime dhe ndarje midis vendit tonë dhe IRJM-së”, thotë ministri grek pa portfol dhe zëdhënësi i qeverisë Dimitris Sanakopulos në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA dhe shton se ndryshimet kushtetuese të paraqitura, si dhe deklaratat e fundit të bëra nga Kryeministri maqedonas e konfirmojnë këtë qëndrim, dhe në të njëjtën kohë i hedhin poshtë argumentet e Demokracisë së Re, njofton MIA.

Sanakopulos theksoi se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës i shërben interesave të Greqisë dhe rajonit më të gjerë, dhe shprehu bindjen se e njejta do të marrë një shumicë votash nga parlamenti grek, raporton MIA nga Athina.

I pyetur nëse Demokracia e Re mund të votojë për protokollin për hyrjen e Maqedonisë në NATO, Sanakopulos thotë se “kjo do të varet nga ajo se sa e madhe do të jetë hipokrizia e Micotakis”.

Sa i përket asaj se a mundet tërheqja eventuale e Grekëve të Pavarur të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Sanakopulos shpjegon se qeveria do të përfundojë mandatin dhe se “para vetes ka sfida të mëdha politike dhe institucionale”. Si qëllime të qeverisë ai përmend: rritjen e rrogës minimale, forcimin e rrjedhës pozitive të ekonomisë, zvogëlimin e papunësisë, financimin e dialogut me kishën si dhe miratimin e masave për mbështetje sociale.