Fjalë Kyçe

Marrëveshja për pagat në arsim lë jashtë rritjes kategorinë më të ndjeshme në këtë sektor

Qeveria e Kosovës ka arritur gjatë ditës së sotme një marrëveshje me SBASHK-un, duke i dhënë fund grevës tre javore në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe atij universitar në vendin tonë.

Edhe pse, sipas marrëveshjes do të ketë ngritje të ndjeshme të pagave për pjesën më të madhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, ajo prapë nuk është gjithëpërfshirëse.

Jashtë marrëveshjes mbeten një kategori shumë e rëndësishme që siguron cilësinë e arsimit në vendin tonë.

Bëhet fjalë për inspektorët e arsimit, të cilët në projektligjin e propozuar kanë mbetur me koeficient tejet të ulët.

Përfaqësues të Inspektoratit të Arsimit i janë drejtuar me një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës një ditë para votimit të Ligjit për pagat në sektorin publik, i cili pritet të inkorporojë edhe vendimet e dala nga marrëveshja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit.

Po ashtu, të njëjtën ditë, pra të shtunën pritet të votohet edhe Ligji i buxhetit për vitin 2019.

‘I nderuar deputet Kurteshi, po ju drejtohem në cilësinë e përfaqësuesit të Inspektorit të MAShT-it, që nesër me rastin e shqyrtimit të projekt-ligjit për paga ta trajtoni edhe pozitën e Inspektorëve për të cilët është paraparë që koeficienti i tyre të jetë vetëm 2.35 që është i barabartë me mësimdhënësit e arsimit fillor, pra na vë një pozitë degraduese’, thuhet në letrën e drejtuar deputetit Ismajl Kurteshi, të siguruar nga Gazeta Alo.

Kështu, zyrtarët që mbikëqyrin punën e mësimdhënësve në të gjitha nivelet do të ketë nivel më të ulët të pagave se ta.

‘Inspektorati kryen inspektime në të gjitha nivelet arsimit në Kosovë, si privat ashtu edhe publik dhe karshi përgjegjësisë së madhe që kemi, çfarë kuptimi ka ky tretman me këtë koeficient?

Cili është autoriteti ynë dhe si ka mundësi që ne të vlerësojmë mësimdhënësit apo drejtorët e institucioneve, dekanë e profesorë të njësive akademike duke përfshirë universitetet?’, thuhet në letër.

Letra i është drejtuar edhe kryetarit të Komisionit, Nait Hasanit dhe anëtarëve të tjerë si dhe vetë kreut të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veselit.

Deputeti i Vetëvendosjes Ismajl Kurteshi ka premtuar se do ta ngre këtë problem në seancën që do të mbahet gjatë ditës së shtunë.

‘Të nderuar, vërtet pajtohem me vërejtjet tuaja. Mundësitë tona janë të kufizuara. Asnjëherë nuk do të pajtohem me këtë pozitë të inspektorit për shkakun e cilësisë në arsim’ shkruan në përgjigjen që i ka kthyer deputeti Ismajl Kurteshi kësaj kategorie të nëpërkëmbur.