Fjalë Kyçe

Masat e reja kufizuese, vijojnë pritjet dhe ankesat e qytetarëve në kufirin Kosovë- Shqipëri

Masat e reja kufizuese, vijojnë pritjet dhe ankesat e qytetarëve në kufirin Kosovë- Shqipëri

Vendosja e masave të reja kufizuese për kalimin e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka sjellë radhë të gjata në doganë.

Udhëtarët që hyjnë në Kosovë kundërshtojnë testin e shpejtë e ata që dalin nga Kosova ankohen për pritje të gjata.

Ndërkaq në pikën kufitare të Vërmicës situata duket pak me e qetë se një javë më parë, por kolonat janë të pashmangshme dhe ende të pranishme.

Komandanti i policisë kufitare jug-perëndim, Nexhmi Krasniqi, thotë për ABC News Albania se kolonat po krijohen pasi shumë qytetarë ende shkojnë për pushime dhe Shqipëria kërkon teste edhe për fëmijët.

Megjithatë , udhëtarët që hyjnë në territorin e Shqipërisë thonë se po presin gjatë në kolonë. Ndërkaq, shtetasit e Shqipërisë të cilët nuk janë të vaksinuar po i nënshtrohen një testi të shpejtë , gjë që ata po i shqetëson.

Sakaq, lidhur me gjendjen e krijuar, Policia kufitare e Kosovës ka shtuar për 50 % më shumë numrin e policëve , me qëllim që pritjet të minimizohen , ka bërë të ditur komandanti i i policisë kufitare në Jug- Perëndim Nexhmi Krasniqi.

Vendosja e masave anti-covid në kufi nga Shqipëria dhe Kosova i ka bërë të pashmangshme pritjet dhe kolonat e gjata në të dyja anët e kufirit të përbashkët që po ngadalësojnë gjithashtu edhe lëvizjen mes dy vendeve.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar për kolonat e gjata që po krijohen në pikëkalimin kryesor kufitar të Kosovës me Shqipërinë. KMLDNJ ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë zgjidhje për problemin e krijuar në kufi nga masat e vendosura për parandalimin e pandemisë.