Fjalë Kyçe

MASHT sjell risi këtë vit për 27 mijë maturantët që do t’i nënshtrohen testit

MASHT sjell risi këtë vit për 27 mijë maturantët që do t’i nënshtrohen testit

Rreth njëzet e shtatë mijë maturantë ketë vit do t’i nënshtrohen Testit Shtetëror të Maturës.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se risi për këtë vit do të jetë se provimi do të mbahet në katër lëndë, tri prej tyre të obligueshme dhe një zgjedhore.

Testit Shtetëror të Maturës ketë vit do t’i nënshtrohen rreth njëzet e shtatë mijë maturantë.

Provimi do të realizohet në katër regjione dhe shorti do të hidhet me 3 qershor.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, i tha Radio Kosovës se janë bërë përgatitjet për mënyrën se si do të realizohet testi dhe se ketë vit do të ketë risi në testin e maturës dhe nxënësit do t’i nënshtrohen testit në katër lëndë, ku njëra prej tyre do të jetë zgjedhore.

“ Përgatitjet janë bërë për mënyrën e mbajtjes së Testit të Maturës. Kësaj radhe do të jenë disa ndryshime cilësore dhe besojmë që do të jenë në interesin e nxënësve. Testi do t’i këtë vetëm katër lëndë, ku tri prej tyre do të jenë të obligueshme sipas ligjit dhe këtë vit për herë të parë do të këtë zgjedhore, ku do të dërgohen formularët nëpër shkolla për të zgjedhur. Testi do të realizohet në katër regjione.”

Po ashtu, Hysenaj tha se tërheqja publike e shortit për renditjen e mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione bëhet më 3 qershor 2019, vetëm dy ditë para mbajtjes së provimit, për arsye që mundësia e manipulimeve të jetë sa e vogël.

“Ajo çka është me rëndësi këtë vit për testin është se vetëm dy ditë para testit do të behtë tërheqja publike. Kjo është bërë për arsye që të shmangën të gjitha mundësitë për keqpërdorime, qoftë edhe nga njerëzit që punojnë këtu në ministri, qoftë edhe nga ana e nxënësve dhe eksperteve të ndryshëm.”

Ndërsa, Rinor Qehaja, nga Instituti Eduguard, tha për Radio Kosovën se përkundër risive që po bëhen çdo vit, problem mbetet keqadministrimi i procesit dhe mungesa e llogaridhënies nga të gjithë ata të cilët po bëjnë shkelje gjatë procesit të testimit.

“ Përkundër se çdo vit po kemi risi në formatin e mbajtjes së Testit të Maturës, problemi ngelet të keqadministrimi i testit. Pra, mangësia thelbësore e realizimit të Testit të Maturës është jo administrimi i mirëfilltë i këtij testi dhe mungesa e jollogaridhënies nga shkelësit, qoftë nga administratorët apo nga shkelësit e tjerë.”

Pjesa e parë e Maturës Shtetërore do të mbahet nga data 5 deri më 8 qershor 2019, ndërsa pjesa e dytë nga 19 deri më 22 qershor 2019.

Provimi do të mbahet në katër lëndë, tri nga të cilat janë të obligueshme dhe një zgjedhore. Lëndët e obligueshme janë: Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuha angleze. Ndërsa lista e lëndëve zgjedhore për të gjitha gjimnazet dhe shkollat e arsimit profesional janë: Fizikë, Kimi, Biologji, Informatikë, Gjeografi, Histori, Sociologji, Psikologji, Ekonomi me ndërmarrësi, Edukatë qytetare, Histori e artit, Teori e muzikës dhe harmoni.