Fjalë Kyçe

Mashtrimet e Rektorit Marjan Demaj

Mashtrimet e Rektorit Marjan Demaj

Zyra e të parit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, kishe mashtruar në lidhje me vizitën e delegacionit “gjigant” të UP- së në Turqi, me rastin e nënshkrimit të një marrëveshjeje.

Ndonëse në një deklartë të dhënë për media nga Rektorati ishte thënë se në lidhje me këtë vizitë të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga ana e Turqisë, Gazeta Blic e ka siguruar vendimin e lëshuar nga prorektori i UP-së, që e dëshmon të kundërtën.

Sipas këtij vendimi, shpenzimet e udhëtimit për delegacionin 27 anëtarësh nga Prishtina në Stamboll dhe anasjelltas e mbulon Universiteti i Prishtinës, raporton Gazeta Blic.

Në vendimin të cilin e posedon Gazeta Blic përpos udhëtimin, UP do të mbuloj edhe nevojat shtesë që ka delegacioni nga universiteti më i madh publik na vend, përgjatë kësaj vizite.

Ndryshe, nga zyra e Rektorit Marjan Dema, deklarata e cila i ishte dhënë mediave, thuhej se të gjitha shpenzimet e kësaj vizite janë mbuluar nga ana e nikoqirit.

“Me ftesën e universitetit nikoqir nga UP-ja në këtë vizitë kanë marrë pjesë 27 persona, pjesëtarë të Këshillit Drejtues, të menaxhmentit dhe senatorë të UP-së. Shpenzimet e akomodimit për realizimin e kësaj vizite janë mbuluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, ndërsa shpenzimet e ushqimit janë mbuluar nga universiteti nikoqir dhe partnerët tjerë nga Turqia”, është thënë nga zyrtarë në zyrën e rektorit Marjan Dema.

Por, në vazhdim e gjeni vendimin e lëshuar nga Rektorati, që demanton deklaratën e lëshuar për media. Për më tepër, sipas këtij vendimi, delegacionit 27 anëtarësh do t’u takojnë edhe mëditjet.

Kjo vizitë e cila është realizuar më 14 dhjetor të këtij viti në Universitetin Teknik Yildiz të Stambollit është kundërshtuar edhe nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, i cili ka thënë se delegacionet e UP-së që shkojnë për vizita jashtë vendit duhet të jenë më të vogla, pasi me delegacione të mëdha keqpërdoret buxheti i vendit.

“Kosova konkurron me madhësinë e delegacioneve. Mua më ka rënë të shkojë në disa vende dhe gjithmonë ka pasur më shumë njerëz sesa ka qenë e nevojshme. Një formë e keqpërdorimit të buxhetit është edhe krijimi i delegacioneve të mëdha, pjesa më e madhe e tyre shpeshherë nuk e dinë as cili është roli i tyre në atë delegacion. Duhet patjetër që në daljet jashtë vendit të shkojnë aq sa ka nevojë njerëz dhe atëherë kur ka nevojë”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Parlamentit Studentor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Elshani, ka vlerësuar se vizitat që janë bërë jashtë Kosovës nuk kanë dhënë rezultate. Sipas tij, derisa nuk ka rezultate, nuk duhet të ketë as vizita.

“E kam ditur se janë duke shkuar për vizitë zyrtare, por nuk e di se si kanë shkuar rrjedhat atje. Normalisht e kemi cekur edhe gjatë konferencës që përderisa nuk ka ndonjë rezultat në çdo vizitë që bëhet jashtë vendit, me buxhet të Universitetit, atëherë pse duhet të ndodhë ajo. Ne kemi kërkuar që të kemi përkrahje më të madhe të Parlamentit Studentor sesa këto vizita që po bëhen prej të cilave nuk ka asnjë rezultat”, ka thënë ai.