Fjalë Kyçe

Matoshi thotë se Bahtiri nuk përfaqësoi AKR-në në tubimin e Albin Kurtit

Matoshi thotë se Bahtiri nuk përfaqësoi AKR-në në tubimin e Albin Kurtit

Nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi ka thënë se Agim Bahtiri nuk e ka përfaqësuar partinë në tubimin e VV-së kundër Qeverisë në Mitrovicë.

Matoshi ka thënë se Bahtiri ka mundur të marrë pjesë vetëm në emër të tij por jo të AKR-së.

“Ai mund të bën në emër të vetin. AKR i jep mbështetje të plotë kësaj Qeverie, punëve dhe projekteve që po kryhen. Pjesëmarrjen e Agim Bahtirit nuk e komentoj. Nuk e përfaqëson qëndrimin e AKR-së/ Një pjesëmarrje e tillë nuk e përfaqëson qëndrimin e AKR-së”, ka thënë Matoshi, të dielën për Express.

Agim Bahtiri iu bashkua të shtunën tubimit të Vetëvendosjes, e cila po kundërshton Qeverinë e Kosovës, duke e emëruar si “PANhajnia”.

Madje, Bahtiri lëshoi akuza edhe në drejtim të Qeverisë së Kosovës se po degradon jetën e qytetarëve.
Fatmir Matoshi thotë se askush s’ka qenë i njoftuar se Kryetari i Mitrovicës do të jetë pjesëmarrës në një tubim të tillë.

“As nuk e kam ditë që ka marrë pjesë në tubimin e VV-së”, ka shtuar Matoshi.

Agim Bahtiri, Kryetar i Mitrovicës dhe Nënkryetar i AKR-së, kishte marrë pjesë në bisedimet për lidhjen e koalicionit mes PDK-së e AKR-së.

Madje, kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes që kishte ndodhur me shtëpinë e Pacollit në Hajvali.

Mirëpo, para se të ndodhte koalicioni me PDK-AKR, Agim Bahtiri pati thënë se më përpara shkon në varr se që bëhet një marrëveshje e tillë.

“Më përpara shkoj në tabut sesa me PDK-në”, kishte thënë Bahtiri.