Analisti politik dhe botues i gazetës “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, ka thënë se vendosja e taksës ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake është akt dhe jo proces.
Mavraj ka thënë se taksa ka qenë një nga instrumentet shtetërore që ka treguar se Kosova është gjallë.
“Vendosja e taksës i ka gjetur të befasuar shtetasit edhe të Kosovës dhe të Serbisë. ShBA-ja ka qenë e zëshme dhe e ka vlerësuar se ajo nuk shkon me interesat e tyre. Ka qenë akt emocional i Kosovës dhe akt pas një fushate agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Në momentin e vendosjes ajo e ka arsyetuar vetveten. Taksa ka qenë njëra prej instrumenteve dhe me këtë është treguar se Kosova është gjallë”, ka thënë Mavraj në një intervistë në “INFO3 LIVE” në “RTK3”.
Ai ka pohuar se ka pasur luhatje pas vendosjes së taksës.
Mavraj ka vlerësuar se politikanët e Kosovës duhet të kenë kujdes në dhënien e deklaratave në raport me taksën.
“Presioni edhe nga letrat po shihet se është presion ndaj Kosovës. Edhe pse presidenti i Serbisë ka probleme të brendshme, ai po vazhdon të bëjë kërcënime për Kosovën dhe ato janë shqetësuese”, ka thënë Mavraj.
Më tutje, Mavraj ka folur edhe për letrat që presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ua ka dërguar dy presidentëve, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.
Sipas tij, në letrat e dërguar, është pjesa e fortë për Kosovën, ku potencohet njohja, ndërsa pjesa tjetër e lë të hapur mundësinë për kufijtë.
“Palmeri përmendi termin përshtatje. Në këtë pikë Kosova po rrëshqet në debate që janë hapur muajt e fundit. Fokusi është ngritur në medie. Përfshirja e Trumpit është shkalla më e lartë për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Deri tani ai nuk ka pasur ndonjë arritje në arenën e jashtme. Kjo do të mund të jetë në favor të Kosovës”, është shprehur Mavraj.
Ai ka thënë se Serbia nuk jep asgjë falas, pa shkëmbyer diçka, kur është fjala për Luginën e Preshevës.
“Serbia kërkon çdo gjë. Edhe ‘Trepçën’ edhe Ujmanin. Serbia do të krijojë dredhi të tjera. Serbia do të shtrijë pretendimet e saj territoriale deri në lumin Ibër. Ajo synon pretendime të cilat për Kosovën janë të papranueshme. Nuk i përjashtoj planet ose pikat e publikuar në medie mund të jenë lojëra, por për neve janë të papranueshme”, ka deklaruar Mavraj.
Duke folur për platformën e dialogut të votuar në Kuvendin e Kosovës, Mavraj ka thënë se ajo është kthyer tek parimet e mëhershme. “Zgjidhja e balancuar nuk do të arrihet lehtë pa imponim. Platforma ka kohezion dhe koherencë për dialogun me Serbinë. Unë kam frikë se do të jetë fontanë dëshirash. Unë nuk jam shumë optimist se në afat të shkurtër do të mund të ndihmojë për zhbllokim të dialogut”, ka thënë Mavraj.
Sipas tij, janë dy rryma për Kosovën, rryma evropiane dhe amerikane.
Mavraj ka shtuar se taksa nuk duhet të kthehet kundër Kosovës. Ai mendon se mund të ketë improvizim të situatës në veri. “Mund të ketë një teatër të ri, serbët e Kosovës nuk janë përkrahës të Vuçiqit, por kanë frikë”, ka thënë Mavraj.
Gjatë kësaj interviste, Mavraj ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është më shumë eufemizëm.
“Në Serbi tani është një kopje e Sllobodan Millosheviqit. Vuçiqi është tiran i vogël, por mund të bëhet i rrezikshëm”, ka thënë Mavraj, duke shtuar se sot janë 50 gënjeshtra të Vuçiqit për Kosovën.