Fjalë Kyçe

Mbahet tubimi në mbështetje të presidentit Vuçiq, Kosova pjesë e fjalimeve

Mbahet tubimi në mbështetje të presidentit Vuçiq, Kosova pjesë e fjalimeve

Mijëra njerëz u mblodhën në Beograd për të manifestuar mbështetje ndaj presidentit, Aleksandar Vuçiq.

Një pjesë të fjalimeve të zyrtarëve serbë në këtë tubim, e zuri edhe çështja e Kosovës.

Presidenti, Aleksandar Vuçiq, tha se ka vendosur të flasë para qytetarëve të mbledhur në Beograd vetëm për të ardhmen e Serbisë.

Duke falenderuar pjesëmarrësit, Vuçiq tha se pa mbështetjen e një numri kaq të madh të tyre, nuk do të mund të dilte para kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Vuçiq pritet që të marrë pjesë në samitin për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Berlin më 29 prill, ku do të marrin pjesë edhe krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj. Ndërkaq prej 25 deri 27 prill do të qëndrojë në Kinë për të marrë pjesë në forumin “Brezi dhe Rruga”. Aty do të takojë presidentin kinez dhe atë rus, Vladimir Putin.

Presidenti Vuçiq edhe para mbështetësve të tij në Beograd përsëriti se nuk do të ketë dialog me Prishtinën pa u hequr tarifa ndaj mallrave serbe.

Ai, tha po ashtu se do të mbrojë popullin serb në Kosovë nëse do të jetë e nevojshme.

Tubimi pro Vuçiqit pason protestat disa mujore të opozitës që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Mbështetësit e Vuçiqit shkuan në Beograd nga gjitha qytetet e Serbisë si dhe nga dy vendet fqinje, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq iu tha pjesëmarrësve në tubim se dëshmia e fuqisë së Serbisë është edhe fakti se 13 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës ndërsa, sipas tij, gjatë qeverisjes së mëparshme në Serbi 83 vende e kishin njohur Kosovën.

Daçiq ka qenë pjesë edhe e qeverisë së kaluar në Serbi.

“Mos mendoni se mund ta shantazhoni Serbinë, që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Daçiq.

Në tubimin pro Vuçiqit foli edhe anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Ai tha se ka qenë Republika Serbe e Bosnjës ajo që nuk ka lejuar që Bosnja të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk do të jemi NATO sepse ata kanë hedhur bomba në dy raste”, tha Dodik.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq tha para qytetarëve të mbledhur në Beograd se “Serbia nuk do të mbështesë kërcënimet, ofendimet, ndarjet”.

 

Qysh në dhjetor, opozita e Serbisë ka dalë në rrugë çdo të shtunë, për të protestuar, siç thotë, kundër sundimit autokratik të Vuçiqit, kufizimit gjithnjë e më të madh të lirisë së shtypit dhe problemeve të tjera në vend.

Protestat kanë nisur pasi udhëheqësi i opozitës, Borko Stefanoviq, është rrahur nga sulmues të maskuar.

Vuçiq, për kohë të gjatë nacionalist, ka bërë përpjekje ta riformojë pozicionin e tij si reformator pro-evropian, por i ka ruajtur edhe marrëdhëniet e mira me aleaten tradiconale të Serbisë – Rusinë.