Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert është pritur sot nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Në një komunikatë lëshuar për media nga ambasada e Francës që nga fundi i luftës dhe pavarësia e Kosovës, ky shtet ka qenë vazhdimisht i angazhuar në monitorimin dhe mbështetjen e reformave të nevojshme për vendosjen dhe konsolidimin sundimit të ligjit dhe përafrimin e Kosovës drejt BE-së.
“Disa projekte evropiane u zhvilluan me pjesëmarrjen e Ministrisë franceze të Drejtësisë dhe profesionistëve të lëmisë gjyqësore. Në vitet e fundit, gjykatësit francezë të nivelit shumë të lartë kanë përcjellur përvojën e tyre homologëve të tyre kosovarë, nëpërmjet një programi binjakëzimi institucional të udhëhequr nga Italia dhe Franca që ka pasur për synim përforcimin e këshillave të larta të gjyqësorit. (gjyqtarë dhe prokurorë). Ky projekt qendror, për të siguruar përgjegjësinë, pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve, përfundoi në fillim të majit”, thuhet në komunikatën e ambasadës.
Sipas komunikatës ministri kosovar i drejtësisë ka angazhuar me partnerët kryesorë aktivë në këtë fushë një proces ambicioz të hartimit të rishqyrtimit gjyqësor i cili duhet të publikohet në shtator të këtij viti.
Ambasadori i Francës vuri në dukje rëndësinë e këtij dokumenti strategjik i cili përcakton prioritetet për vitet në vijim dhe ai shprehu gatishmërinë për mbështetjen e plotë të Francës për zbatimin e reformave të vazhdueshme në fushën e drejtësisë.
“Ministri dhe ambasadori e mirëpritën mundësinë e finalizimit në të ardhmen të një marrëveshjeje për bashkëpunimin dypalësh midis Kosovës dhe Francës. Përveç kësaj, ata vunë në dukje rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve dypalëshe të zbatuara për të mbështetur trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë dhe për të mbështetur pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit”, thuhet në komunikatë.
Ambasadori gjithashtu shprehu angazhimin e ministrive franceze të Punëve të jashtme dhe Drejtësisë, në përputhje me strategjinë e re franceze për Ballkanin Perëndimor e paraqitur nga presidenti Macron në margjinat të Samitit të Berlinit, për të vazhduar të mbështesë reformën në drejtësi, veçanërisht në kuadër të projekteve të ardhshme evropiane.